Diplomacia ekonomike, ajo e krijimit të kontakteve me botën e biznesit jashtë vendit dhe e potencialit për të sjellë investitorë të huaj në Shqipëri, është vendosur shumë lart në axhendën e kryeministrit Edi Rama për mandatin e tij të dytë.
“Menjëherë pas shpalljes së qeverisë së re ditën e diel, unë do t’i kërkoj ministrit të mandatit të ri që të organizojë një takim 3-ditor me të gjithë ju, në funksion të rolit që duhet të ndërmarrë menjëherë Shërbimi i Jashtëm në ekonominë e vendit. Të finalizojmë planin kombëtar të diplomacisë ekonomike shqiptare për një dekadë në vijim”, deklaroi kryeministri Rama.
Në takimin e kryeministrit me ambasadorët shqiptarë, më shumë zunë vend kritikat sesa vlerësimet. Por, pavarësisht se mbajti edhe vet përgjegjësi për dështimin e diplomacisë ekonomike, pikëpyetja për ministrin e Jashtëm mbetet e madhe. Varet, nëse Rama do të vlerësojë gjysmën plot, apo gjysmën bosh të gotës së këtyre viteve, ku ai dalloi qartë suksesin e politikës së jashtme në rajon, nga disfata e diplomacisë ekonomike.
“E kam pyetur veten dhe ju pyes edhe juve sot këtu, shumë hapur: po si ka mundësi që kemi qenë kaq të avashtë, ose për ta thënë shqip kaq të leshtë?! Unë nuk di ta justifikoj këtë boshllëk të trashëguar për kaq shumë vite, ku siç e thashë edhe në 4 vitet që sapo mbyllim, ne kemi bërë një vrimë në ujë”, tha Rama.
Që kjo të mos ndodhë, kryeministri Rama ka gati një kalendar vlerësimi për ambasadorët dhe ministrin e Jashtëm, bazuar në kontributin e secilit për realizimin e objektivave të diplomacisë ekonomike.
“Që mbi bazën e pasqyrave 3-mujore do të vendoset qoftë vlerësimi dhe promovimi, qoftë largimi nga detyra i ambasadorëve. Ashtu sikundër bilanci vjetor i kësaj pune do të përcaktojë mbështetjen e mëtejshme politike për ministrin tuaj, apo largimin e ministrit nga detyra”, vijoi më tej kryeministri Rama.
Por kishte edhe një aspekt tjetër, ku kryeministri paralajmëroi transformim të funksionimit të Shërbimit Diplomatik: bashkëpunimi me diasporën, rëndësinë e së cilës e tregoi edhe një vit më parë, kur organizoi për herë të parë në Tiranë “Samitin me Diasporën”.
“Dua t’iu informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasjeje të re, qeveria e re do të ketë edhe një ministër Shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdhetut”, theksoi Rama.
Marrëdhëniet e shqiptarëve në rajon, vota e emigrantëve, për të cilën Rama tha se është e pashmangshme, do të jenë në fokus të Ministrisë së re në kabinetin “Rama”. Por asgjë nuk do të jetë më shumë e rëndësishme sesa diplomacia ekonomike. Gjë që Rama ua tha ambasadorëve edhe në gjuhën e tyre të punës.
“It is all about the economy your exellences”.