Teoria kryesore për mënyrën sesi u zhdukën dinozaurët nga Toka është ajo që fajëson për këtë një asteroid që goditi shtëpinë tonë 65 milionë vite më parë dhe shfarosi thuajse gjithçka.
Por, për sa kohë është një teori, ajo edhe mund të kontestohet. Një teori e re ka dalë nga studiuesit e Universitetit të Readingut në Britaninë e Madhe.
Sipas tyre, dinozaurët ishin thuajse të zhdukur në momentin që Toka u godit nga asteroidi. Për këtë zhdukje, teoria më e re fajëson vetë dinozaurët.
Grupi i shkencëtarëve që qëndron pas këtij pretendimi thonë se edhe nga analizat e fosileve nuk sigurohen shenja të zhdukjes nga një përplasje a shpërthim i fuqishëm.
“Dinozaurët ishin shumë të suksesshëm, për të zezën e tyre. U përhapën dhe mbizotëruan në Tokë për rreth 200 milionë vite, duke e mbipopulluar planetin tonë dhe shteruar ushqimet për mbijetesë”, thotë bashkautori i studimit, Chris Venditti.
Venditti shton se në atë kohë, dinozaurët ishin në krye të zinxhirit ushqimor, por dështuan që të përshtateshin dhe pasi u përhapën në gjithë territorin e Tokës, për ta nisi zhdukja si pasojë e mungesës së ushqimit dhe luftës për mbijetesë mes llojeve. /tch/