Dinari mbledh sërish javën tjetër në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 11/04/2024 13:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pritet që t’i thërras për takim në Bruksel kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç për të vazhduar diskutimet lidhur me çështjen e dinarit.

Në një përgjigje për Reporteri.net, BE konfirmon se takimi do të jetë javën e ardhshme, por data nuk është përcaktuar ende.

Bashkimi Evropian thekson se në këtë takim do të diskutohet për një zgjidhje të përkohshme për çështjet e shkaktuara nga BQK, që palët të jenë të gatshme të angazhohen në propozimet e paraqitura na emisari Lajçak.

“Ndërmjetësuesi i BE-së planifikon të thërrasë një takim tjetër javën e ardhshme në nivelin e kryenegociatorëve për të diskutuar një zgjidhje të përkohshme të çështjeve të shkaktuara nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës, me kusht që palët të jenë të gatshme të angazhohen në bazë të ideve të paraqitura nga ndërmjetësuesi i BE-së”, tha një zëdhënës i BE-së për Reporteri.net.

Të enjten e 4 prillit, ishte takimi i fundit në Bruksel për çështjen e dinarit, e që përfundoi pa marrëveshje.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas takimit të enjten e kaluar, tha se pala kosovare është pajtuar me propozimin e emisarit të BE-së, sa i përket çështjes së dinarit, por pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

“Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçak ka nxjerrë një propozim të konsoliduar për të cilën ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve serb në Kosovë. Pala serbe nuk ka qenë e gatshme të reflektojë këtë propozim dhe ka kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve në Bruksel”, ka deklaruar Bislimi.

“Atyre iu është bërë e qartë që takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse ata janë të gatshëm të vijnë me ide për kompromis. Edhe sot kemi pasur dallime të mëdha, përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si qytetarët serb mund të marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia. Pala serbe ka funksionuar si avokate e ‘Postanska bankës’ dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetente, as në interes të palëve të involvuara”, kishte deklaruar tutje Bislimi.

Në anën tjetër, Lajçak tha pas takimit se pati përafrim të qëndrimeve mes propozimeve të palëve.

“Arritëm të përafrojmë qëndrimet mes dy propozimeve të palëve. Planifikoj të vazhdoj diskutimet shumë shpejt bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

Për takimin, emisari evropian foli edhe gjatë forumit “BE takon Ballkanin”, ku theksoi se në pesë javët e fundit kanë zhvilluar katër takime me të dyja palët dhe se siç tha ai nuk duhet të jenë qytetarët ata që duhet të “pagujnë çmimin”.

“Në pesë javët e fundit kemi pasur katër takime mes dy delegacioneve dhe javën e ardhshme do të ketë një takim tjetër. Ne përsëri u gjendëm në situatën që duhet të përballemi me pasojat e një vendimi dhe të mos diskutojmë para se të marrim vendimin”, tha Lajçak në forum.

Emisari evropian tha gjatë forumit se ka përpjekje nga palët për të gjetur zgjidhje, dhe shpreson që ajo të arrihet në takimin e javës së ardhshme.

“Pra, ajo që dua të them është se diskutimet janë ndërtuar, palët po vijnë, atmosfera është më konstruktive se zakonisht, do të thosha. Dhe ka një përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Kështu që ne bëmë herën e fundit, të enjten e kaluar”.

“Dhe për të shpëtuar janë paraqitur propozimet e palëve. Uh, ne përpiqemi të arrijmë këto propozime. Nuk ishte shumë e mundur. Kështu që herën e fundit ne si Bashkim Evropian i kemi prezantuar idetë tona dhe ato janë pranuar nga të dyja palët. Pra, po, por ne do të takohemi javën e ardhshme, dhe shpresojmë ta finalizojmë. Marrëveshja, në bazë të ideve të paraqitura nga Bashkimi Evropian”, tha Lajçak.

Për takimin e katër prillit, u deklaruan edhe nga Qeveria e Kosovës, ku sipas komunikatës së tyre, pala kosovare, ka cilësuar si konstruktiv propozimin e BE-së për gjetjen e një zgjidhje për dinarin, megjithatë Qeveria e Kosovës akuzon palën serbe për mungesë të bashkëpunimit duke kërkuar kohë shtesë dhe duke insistuar në licensimin e një etniteti ilegal, si “Postanska Banka”.

“Ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë. Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda Rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur”, thuhej në komunikatën e Qeverisë.

Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti, ku përcakton euron si valutë të vetme zyrtare në Kosovë, gjë e cila ka ngritur reagime edhe nga faktori ndërkombëtar, duke kërkuar që të shtyhet zbatimi i këtij vendimi./EO/