Gazmend Abrashi
Fundviti 2015, e gjen Kosovën po aq të izoluar sa edhe viti i kaluar. Në 12 muaj Kosovën e kanë njohur vetëm dy shtete të vogla dhe të largëta (Antigua Barbuda dhe Niue) ku me siguri qytetarët tanë nuk do të kenë as mundësinë, as interesin të udhëtojnë.
Nga 2015 do mbajmë mend skenat masive të eksodit drejt Perëndimit në gjysmën e parë të vitit dhe shijen e keqe te dështimit në UNESCO gjysmën e dytë. Kujtoj se anëtarësimi në UNESCO u shpall si prioritet kryesor nga Ministria e Punëve të Jashtme. Dy resorët e partisë së zëvendëskryeministrit Thaҫi, MPJ e drejtuar nga ai vetë dhe Ministria e Integrimit, nuk arritën të plotësojnë asnjë nga premtimet kyҫe të bëra në janar: as njohje, as pranim në organizata ndërkombëtare, as liberalizim të vizave.
Lidhur me këtë të fundit, zv.kryeministri pati një reagim inatҫor, aspak diplomatik, që u prit me shqetësim edhe nga mbështetësja e madhe e Kosovës, eurodeputetja Lunaçek. “Protestat dhe ndjenjat negative ndaj BE-së e bëjnë më të vështirë për mua dhe mbështetësit e tjerë të Kosovës që të punojmë për një imazh pozitiv, çka është shumë i nevojshëm për liberalizimin e vizave” u shpreh ajo. E vetmja e arritur, MSA-ja, siҫ kam shkruar më herët është e brishtë dhe e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera të rajonit. Për më tepër, nuk ka kuptim lëvizja e lirë e mallrave, pa lëvizje të lirë të njerëzve. Thënë figurativisht, neve na kanë dhuruar një makinë, por pa motorr. Qindra sipërmarrës kosovarë ankohen se duhet të presin në rradha të gjata dhe hasin shumë vështirësi për të siguruar viza për shtetet e BE-së.
Është shumë e lehtë të kritikosh diplomacinë kosovare këtë fundvit. Është më e dobishme të bësh analiza se pse ajo ka dështuar dhe të japësh sugjerime se si duhet të performojë më mirë.
Analizën e dështimit mund ta gjejmë mu në rekomandimet e raportit të Komisionit Europian. Politika e jashtme e një shteti nuk funksionon e shkëputur nga ajo e brendshme. Autoritetet tona u ankuan se Kosovës i janë dhënë dy herë më shumë kritere se ҫdo vendi tjetër. Sigurisht që kështu duhej të ndodhte sepse Kosova është dy herë më keq se ҫdo shtet tjetër europian. Njëjtë si në fushën e ekonomisë, një vendi të zhvilluar i mjafton një rritje ekonomike prej 2% në vit, ndërkohë që një vendi në zhvillim i vyn së paku dyfishi i kësaj rritjeje. Politikanët tanë nuk duhet të ankohen pse Kosovës i kërkohet, psh. ligj për konfiskimin e pasurive jo-legjitime. Kosova nuk mund të jetë xhungël ku zyrtarët e korruptuar dhe mafiashët që i kryejnë aktivitetet kriminale ditën për diell duke u rënë në qafë qytetarëve të pafajshëm dalin pa ndëshkuar.
Përpos kësaj, lehtësia me të cilën autoritetet tona u lëshuan në negociata me Serbinë është dëshpëruese. Ajo tregon arrogancë, padije dhe improvizim.
Bota e biznesit lidhet shumë me negociata. Ne negociojmë ҫdo ditë, ndaj e dimë se negociatat janë strategjike dhe taktike. Mbi të gjitha, duhet pasur një cak, një qëllim, që nuk duhet huqur asesi. Përndryshe negociatat humbin kuptimin dhe duhen ndërprerë. Është shumë e rëndësishme që, posaqërisht për negociata kapitale, të ketë transparencë maksimale. Jo vetëm Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi ishin të kontestueshme: pa kurrfarë nevoje, ekipi kosovar inicioi fatin e Trepҫës dhe Ujmanit në bisedimet e Brukselit.
Negociatat me Serbinë janë bërë pa respekt ndaj interesave të epërme të vendit. Serbia ia doli të hapë kapitujt me BE-në, kurse Kosova është ende pas dyerve të Unionit, në pritje dhe harresë.
Sjellja e qeverisë ishte arrogante sepse as nuk u konsultua, as nuk informoi opozitën për ecurinë e negociatave, duke u thirrur në numrat e koalicionit të madh PDK-LDK-“Srpska” që pretendoi se do t’ia siguronte mbi dy të tretat e votave në Kuvend. Por kjo nuk e ndihmoi të avancojë kërkesat e Beogradit: opozita e bllokoi Qeverinë në dy marrëveshje të rrezikshme për vendin, me të drejtë. Serbia bllokoi Kosovën në UNESCO dhe do e bëjë këtë ҫdo herë që i jepët mundësia, pa të drejtë.
Ndaj kjo Qeveri, duhet ta ketë kuptuar deri më tani se vendimet me rëndësi jetike për vendin duhet të jenë konsensuale. Opozita ka një rol për të luajtur dhe ky rol i pazëvendësueshëm duhet pranuar e vlerësuar.
Përndryshe, do të shkohet nga improvizimi në improvizim dhe nga gabimi në gabim, duke e lënë Kosovën edhe më të izoluar në 2016-ën.
Ky vit ishte viti i mësimeve të mëdha që Qeveria, ҫdo qeveri – kjo e tashmja apo ajo që do të vijë – duhet t’i mësojë. Le të përdoren mësimet e nxëna për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj në 2016-ën.