Historiani bullgar Bozhidar Dimitrov ka deklaruar se Maqedonia do të shpërbëhet, pasi me të do të ndodhë ajo që ka ndodhur me të gjitha “projektet artificiale historike”.
Dimitrov, ka shtuar se në këtë vend me 1, 2 milion banor, 100 mijë maqedonas kanë shtetësi bullgare. “Shikoni si është shpërbërë Ukraina, ashtu do të shpërbëhet edhe Maqedonia”, ka thënë Dimitrov, i cili është drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Bullgarisë.
Duke komentuar ngjarjet në Kumanovë, siç ka njoftuar agjencia SRNA, ai ka thënë se shqiptarët e kanë shfrytëzuar momentin kur Qeveria e Nikola Gruevskit e shndërroi Maqedoninë në “Korenë veriore evropiane”. “Asgjë nuk duhet pritur as nga opozita. Por megjithatë dikush duhet ta ndërrojë Gruevskin dhe sigurisht me përkrahje të ndonjë shteti perëndimor, ka filluar aksioni për largimin tij”, ka thënë Dimitrov.
Bozhidar Dimitrov, i cili është ministër bullgar Pa Portofol, konsideron se kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski do të japë dorëheqje gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.