Dilema për “Old Trafford”, reduktim apo shtesë

E publikuar: 02/04/2016 09:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Manchester United dhe drejtuesit e tij janë përballë një dileme të madhe mbi planet për rinovimin e stadiumit mitik të skuadrës së futbollit anglez, nëse duhet të shpenzojnë miliona për të shtuar kapacitetet apo për të pranuar sipas rregullave një ulje në shitjen e biletave.

Klubi do të detyrohet që vitin që vjen të përshtasë impiantin “Old Trafford” për njerëzit me aftësi të kufizuar sipas normave të FIFA-s dhe një plan është për të shtuar 7500 vende në tribunën jugore.

Kjo do ta bënte stadiumin e Manchester United të pestin për nga madhësia në Europë, por “djajtë” janë në një kryqëzim nëse benefitet do të justifikojnë shpenzimet e mëdha.

Formacioni i Louis van Gaal ka një mesatare prej 75 mijë shikuesish për ndeshjet në shtëpi dhe kjo është pranë kapacitetit maksimal. Por rregullat e reja diktojnë vende speciale në stadium për njerëzit me karrige me rrota dhe ata që kanë nevojë për përkujdesje, kështu që “djajtë” do të sakrifikojnë një pjesë të fondeve, nëse nuk do pranojnë reduktimin.

Një linjë hekurudhore menjëherë pas tribunës jugore ka qenë gjithmonë problem për qytetin e Manchester, sa herë diskutohen planet për stadiumin, pasi çdo tunel duhet të ketë masa siguruese për evakuimin në rast sulmesh terroriste.

Por, shitja e madhe e biletave për United, po shtyn familjen amerikane që ka në pronësi klubin, që të sakrifikojë një pjesë të milionave për merkaton.

Kështu do të zgjerohet “teatri i ëndrrave”, një impiant unik në kontinentin e vjetër për atmosferën që krijojnë ndeshjet e futbollit.