Dikush nga Kryesia po e pengon rregulloren e re të Kuvendit për shkak të fuqisë që marrin shefat e GP-ve

E publikuar: 03/03/2018 19:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në raste kur kabineti qeveritar nuk u përgjigjet deputetëve të Kuvendit në kohën e pyetjeve parlamentare, do të ketë sanksion për shpërfillje.

Por, kjo vetëm nëse arrin të miratohet rregullorja e re, e cila tashmë gjendet në Kryesinë e Kuvendit, raporton KTV.

Kryetarja e komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se dikush brenda Kryesisë po e pengon këtë proces, por kërkon të ketë përballje me këta individë që sipas saj, në mënyrë arbitrare po pengojnë kalimin në kuvend të kësaj draft-rregulloreje.

Ajo tregon se në këtë draft që më 22 të muajit të kaluar është proceduar nga komisioni për legjislacion në kryesinë e Kuvendit pritet të fuqizohet roli i shefave të grupeve parlamentare.

Derisa legjislatura e re po vazhdon të punojë me rregullore të vjetër, po aq i vjetër mbetet edhe problemi me kuorumin në Kuvend.

Vetëm të premten tri pauza u bënë, ndërsa nuk ka masë ndëshkuese për deputetët që nuk përmbushin obligimin e tyre si ligjvënës.

Albert Krasniqi nga KDI-ja thotë se vetëm shtatë ligje kanë kaluar deri tash e 52 projektligje presin epilog.

Kryesia e Kuvendit do të vendosë për vazhdimin e seancës, ku pritet të votohen një varg projektligjesh të mbetura nga seanca e kaluar.