Mero Baze
Kuvendi i Kosovës ka rrëzuar nismën ligjore, që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë. E di që ka plot argumente populiste për ta kundërshtuar dhe plot melodrama heronjsh të fabrikuar pas vitit 1999, por nuk ka asnjë bazë logjike që një shoqëri t’i trembet një gjykate të ofruar nga Perëndimi, qoftë dhe si test i aftësisë së saj shtetformuese.
Kundërshtimi vjen nga politikanë kryesisht të rrezikuar për të qenë të pandehur para saj, ose prej përpjekjes për t’i bërë opozitë ndikimit perëndimor në Kosovë.
Thirrja tek sovraniteti i Kosovës vjen po ashtu nga grupe politike që nuk kanë besuar kurrë se Kosova do të bëhet shtet i pavarur dhe e kanë konsideruar gjithë betejën e Perëndimit për ta çliruar atë një konspiracion.
Tani gjendemi para një fakti të kryer, që vë në rrezik mbështetjen e mëtejshme perëndimore për Kosovën. Refuzimi i Gjykatës Speciale është gjest dhe vullnet politik dhe nuk ka lidhje me fatin e Kosovës, por me fatin e disa politikanëve, qofshin këta dhe viktima të mundshme të saj.
Ajo që duhet të ndodh sot në Kosovë është, që beteja për Gjykatën Speciale të bëhet në emër të mbështetjes perëndimore që ekziston në Kosovë. Dëmi më i madh që ka bërë ky votim është se ka kthyer në minorancë shumicën perëndimore të Kosovës dhe ky keqkuptim historik duhet korrigjuar.
Së pari, kryeministri Isa Mustafa, si kryetar formal i Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo vetëm që duhet të shprehë vullnetin politik të forcës së tij pro Gjykatës Speciale, por duhet të kushtëzojë qëndrimin e mëtejshëm në qeveri për këtë shkak. Të bësh betejë për të mbrojtur Perëndimin në Kosovë, do të thotë të bësh të vetmen betejë që Kosova duhet të bëjë, nëse kërkon të ketë të ardhme. “Populistët”, “marksitët” “Isistët” (jo këta të Isës) dhe çdo rrymë tjetër anarkiste në atë vend, kanë probeme me veten me historinë dhe mbështetjen popullore.
LDK duhet t’i prijë këtij procesi me guxim dhe pa asnjë mëdyshje për të qëndruar ose jo në një qeveri, që nuk ka fuqi të sigurojë shumicën për një Gjykatë Speciale. Duhet ta bëjë këtë jo vetëm pse nuk ka konflikt interesi për këtë zhvillim, por mbi të gjitha sepse dikush duhet ta mbrojë Perëndimin në Kosovë.
Po ashtu, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi duhet të bëjë betejën e tij politike në këtë mes. Nuk mjafton vetëm vota e tij për të thënë se është dakord për Gjykatën Speciale, por duhet beteja e tij. Së bashku me Isa Mustafën si bashkëqeverisës, ata duhet ta çojnë çështjen në referendum popullor, nëse ajo bllokohet nga politika klienteliste e Prishtinës. Ata janë shumica e Kosovës dhe nuk kanë pse kthehen në minorancë nga një betejë politike meskine.
Është populli i Kosovës ai që duhet të vendosë nëse do të qëndrojë me Perëndimin, apo do t’i kundërvihet atyre që i bën shtet dhe po kërkojnë prova të këtij identiteti të ri perëndimor të Kosovës.
Një referendum pro-perëndimor, i udhëhequr politikisht, do të ndaj historinë e Kosovës nga historia e anarkistëve që tentojnë të bëjnë opozitë me të vetmin identitet real të Kosovës, atë të aleancës me Perëndimin në emër të lirisë së qytetarëve të saj.
Dikush në Kosovë duhet të dalë në rrugë dhe të mbrojë ata që i sollën lirinë dhe shtetin, para se të mbrojë “djalin e axhës” “djalin e dajës”, “burrin e motrës” e ku di unë çfarë histori fisnore, në kurriz të fatit të Kosovës.
Dikush duhet ta udhëheqë këtë betejë publikisht, pa iu dridhur zëri për t’i bërë të pashpresë të gjithë ata që mendojnë, se për të ardhur në pushtet është më lehtë të qëllosh me gurë mbi “Zotat e Kosovës” në Perëndim sesa mbi të zotët e shtëpisë në Prishtinë.
Kosova është ajo që duhet të vendosë çdo bëhet me Gjykatën Speciale, përderisa parlamenti i saj është marrë peng nga kjo mendësi anti-perëndimore. Dhe kur të flasin shqiptarët e Kosovës, atëherë të gjithë e kemi më lehtë të gjykojmë njëri- tjetrin sa vlejmë përballë fatit perëndimor të Kosovës.