Që prej 22 shtatorit, në Kuvendin e Kosovës nuk është mbajtur asnjë seancë e qetë plenare, larg gazit lotsjellës, hedhjes së vezëve apo bllokimit të opozitës, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria me Serbinë dhe Malin e Zi.
Seanca e së premtes u arrit të mbahej vetëm pasi kishte kaluar ora 1:00 e mesnatës, kur, deputetët e partive të koalicionit qeverisës u detyruan të zhvendoseshin në një sallë tjetër, larg gazit lotsjellës, për të miratuar disa ligje pa prezencën e opozitës. Kjo situatë e paqëndrueshme politike ka shqetësuar strukturat qeverisëse në Kosovë, presidenten dhe përfaqësitë e huaja. Për këtë situatë shkruante edhe media gjermane “Die Welt”, sipas së cilës “në Kosovë po qeveris kaosi”.
Kreu i Kuvendit Kadri Veseli u shpreh sot se, Kosova nuk do të jetë kurrsesi pjesë e anarkisë, por drejtuesit e partive opozitare njoftuan dje për protesta të tjera. Teksa kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit, deputeti i Nismës për Kosovën Haxhi Shala dënoi praninë e policisë në sallën e Kuvendit dhe arrestimin e protestuesve që hodhën gurë e shishe me benzinë, teksa sa po protestonin në mbështetje të opozitës.
Zv/kryeministri Hashim Thaçi i krahasoi me modelin rus, mënyrën dhe skenat e dhunshme të protestimit të opozitës. Por opozita vijon të jetë e vendosur në veprimet e saj, deri në zhbërjen e marrëveshjeve. Kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha sot se të vetmit që po përdorin një model rus të dhunshëm, janë Mustafa dhe Thaçi të cilët nënshkruan marrëveshje me njërin prej politikanëve më pro rusë në Serbi, Ivica Daçiç.


















