Dibër, dhunohet administratori i Tominit. Gjiknuri: PD po ushtron terror

E publikuar: 08/09/2016 23:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Situata parazgjedhore në Dibër është rënduar pasditen e kësaj të enjteje, teksa raportohet dhunimi barbar ndaj administratorit i njësisë Tomin, Nuri Meda.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në fshatin Pilafe dhe autorë të dyshuar janë militantë të Partisë Demokratike.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe shefi i shtabit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, Damian Gjiknuri, i cili është shprehur se “kjo ngjarje është shumë e rëndë”, dhe se “PD po ushtron terror”.

“Hordhitë e PD-së, me në krye Lulzim Bashën po ushtrojnë terror në Dibër. I bëj thirrje Bashës të tërheqë falangat e krimit nga Dibra, ndërkohë që drejtësia të marrë masa në mënyrë që të evitohet dhuna”, tha Gjiknuri, ndërsa theksoi se fitorja e doktor Ramës është e sigurtë në datën 11 shtator.