Serbia vazhdon të ndjekë politika që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor, duke përdorur përçarjen si instrument. Kështu thotë në një deklaratë për KosovaPress profesori universitar, Oktaj Hasani, duke theksuar se këto strategji janë aktive që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Hasani thekson gjithashtu se propaganda serbe vazhdon të përdorë kartën e religjionit për të krijuar përçarje në mes të grupeve fetare në Kosovë.
Monitorime mediave serbe (Tanjug, Kurir etj) tregojnë se disa prej këtyre mediave shpesh publikojnë materiale për Kosovën që janë të njëanshme, me mundësi dezinformimi dhe që mund të nxisin narrativë negative rreth realitetit në Kosovë. Raporte të tilla ka pasur ndërvite, ndërsa Hasani thotë se janë parë indikacione që mediat serbe kanë tentuar të fusin përçarje edhe mes diasporës shqiptare.
“Kemi vërejtur gjatë kësaj periudhe, kemi parë indikacione që mediat serbe kanë tentuar të fusin përçarje edhe në mes të diasporës shqiptare që jeton dhe vepron në Evropë, duke shpërndarë lajmin se diaspora dhe qytetarët e Kosovës, pra diaspora shqiptare dhe qytetarët shqiptarë të Kosovës, kanë tensione në mes vete, duke nxitur kështu përçarje ndërgrupore fatkeqësisht në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës shqiptare. Padyshim që ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm në këtë pikë dhe të mos e lejojmë këtë polarizim grupor që po ndodh në Kosovë mes vendasve dhe diasporës. Diaspora e ka vendin e veçantë në Kosovë dhe një përçarje në mes të shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës nuk do t’i shkonte për shtati absolutisht interesit kombëtar shqiptar, por përkundrazi do të shkonte në favor të shtetit serb. Sepse, ideja dhe qëllimet e tyre janë nxitja e përçarjes grupore, përçarjes fetare në mes të një populli shqiptar. Andaj, në këtë pikë duhet të kemi kujdes, në mënyrë që të mos lejojmë që situata të caktuara të ndikojnë në destabilizimin e vendit dhe në nxitjen e përçarjes mes vëllezërve e motrave që jetojnë në Kosovë dhe atyre të diasporës. Secili ka të drejtat e tij në Republikën e Kosovës dhe këto të drejta na garantohen me ligje dhe me Kushtetutën në fuqi”, thotë Hasani.
Sipas tij, kjo politikë destabilizuese do të duhej të ishte shqetësuese edhe për BE-në, por edhe për ShBA-të.
“Padyshim që Serbia vazhdimisht ndjek politikat të cilat ndikojnë ose tentojnë të ndikojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Njëra ndër politikat nga e cila nuk heq dorë vazhdimisht shteti serb është instrumentalizimi i serbëve të Kosovës, duke i përdorur ata për qëllimet e veta në Republikën e Kosovës. Kjo është një politikë të cilën e kanë ndjekur që nga periudha kur Kosova është shpallur shtet i pavarur dhe sovran dhe fatkeqësisht asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga kjo politikë e tyre destabilizuese. Do të duhej të ishte shqetësuese edhe për BE-në, por edhe për ShBA-të kjo politikë destabilizuese e Serbisë. Konsideroj se duhet të ndërmerren hapa konkretë të cilët do ta detyronin në njëfarë forme shtetin serb që ta stopojë këtë politikë për destabilizimin e Kosovës dhe, përmes destabilizimit të Kosovës, po ashtu destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, nënvizon Hasani.
Një shqetësim tjetër, sipas Hasanit, është përpjekja për të krijuar tension mes shqiptarëve të Kosovës dhe diasporës.
“Propaganda serbe ka ditur të përdorë metoda të ndryshme për të futur përçarje ndërgrupore në Kosovë dhe kjo është manifestuar jashtëzakonisht shumë edhe përmes kartës së religjionit, një kartë të cilën Serbia e ka shfrytëzuar që nga epoka e Mesjetës, pastaj edhe në periudhën e nacionalizmave gjatë shekullit XIX. Fatkeqësisht edhe në shekullin XX, ndërsa tash edhe në shekullin XXI, e shohim një përpjekje të shtetit serb për të futur përçarje ndërfetare në mes të grupeve fetare që jetojnë dhe veprojnë në Republikën e Kosovës. Qytetarët e Republikës së Kosovës, përpara religjionit, çdoherë e kanë pasur aspektin kombëtar dhe nuk kanë lejuar dhe nuk do të lejojnë që kjo kartë e religjionit të përdoret për interesa të shtetit serb”, thotë Hasani.
Tensionet Kosovë–Serbi mbeten të larta edhe pas dialogut të vazhdueshëm në Bruksel, ndërsa raportet ndërkombëtare dhe monitorimet e mediave shpesh kanë evidentuar se hapësira informative në rajon është e ndjeshme ndaj propagandës dhe dezinformimit.















