Dështimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO ka ngritur dilema nëse duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë në Bruksel.
Ligjvënësit dhe analistët politikë thonë se është koha e fundit që pala kosovare ta ndryshojë kursin e bisedimeve, pasi që, sipas tyre, shumë marrëveshje të arritura nuk po zbatohen pikërisht nga pala serbe.
Edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pranon se duhet rishikuar marrëveshjet e arritura, të cilat nuk po zbatohen nga pala serbe.
“Unë mendoj që duhet të rishikohen marrëveshjet e arritura, të cilat nuk po gjejnë zbatim, apo të cilat shkelen nga pala serbe. Duhet kërkuar nga pala garantuese që të bëjë presion që marrëveshjet e arritura të respektohen”, ka thënë për “Zërin” Musliu.
Ndërsa deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se është koha të rishikohet dialogu me Serbinë. /zëri


















