Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon sot në nivel kryeministrash

E publikuar: 25/08/2015 08:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash pritet të zhvillohet të martën në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes për Politikës të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Në këtë takim pritet që të nënshkruhen katër marrëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit: Marrëveshja për Asociacionin e komunave serbe, ajo për telekomunikacionin, ajo për energjetikën, si dhe marrëveshja për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër, për të cilat u diskutua në qershor, por pa u arritur në ndonjë marrëveshje konkrete, shkruan Kosovalive.

Mediat serbe kanë raportuar këto ditë se rundi i ri në Bruksel është një shans i ri për marrëveshje të palës serbe e shqiptare, ndërsa pika më e madhe kontestuese është Asociacioni i Komunave serbe dhe kompetencat e tyre.

Beogradi insiston, për kompetenca ekzekutive të cilat janë paraparë me Marrëveshjen e Brukselit, ndërsa një gjë e tillë sipas tyre, nuk pranohet nga pala kosovare.

Ndërkohë, një ditë para takimit kryeministri serb, Aleksandar Vucic ka thënë se nuk do të nënshkruajnë asgjë që nuk është në interes të serbëve.

“Po shkojmë në Bruksel për t’u marrë vesh me Prishtinën dhe atje nuk do të pranojmë asgjë që është në kundërshtim me interesat e Serbisë dhe të serbëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Vucic ka thënë se pas raundit paraprak kishte vlerësuar se delegacioni i Prishtinës “kishte ardhur të mos nënshkruaj asgjë”, por tash shpreson që kjo të ketë ndryshuar.