Eusebio Di Françesko flet si trajneri i ardhshëm i Milanit. Italiani, i cili këtë sezon ka mrekulluar me Sasuolon e tij, teksa ka arritur që të fitojë përballë të gjitha skuadrave “BIG” të kampionatit, prej disa kohësh flitet se mund të jetë zëvendësuesi i Sinisha Mihajloviçit te kuqezinjtë.
Ky i fundit është “i dënuar” të fitojë Kupën e Italisë për të qëndruar në drejtim të Milanit. Ndërkohë, trajneri i Sasuolos duket se u ka dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë drejtuesve kuqezinj:
“Sulmuesi ideal? Zaza, Xheko dhe Baka janë lojtarët që më pëlqejnë më shumë. Kolumbiani sulmon gjithmonë portën dhe nuk bën xhiro nëpër fushë.
Ai dhe Berardi mund të luajnë titullarë në çdo ekip”. Trajneri italian, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ka komentuar zërat që flasin për kalimin e tij në drejtim të kuqezinjve: “Tani nuk duhet të thoni se do të shkoj te Milani.
Kam dëgjuar zëra edhe për kalimin tim në drejtim të kombëtares. Më vjen mirë, por mbeten fjalë…”. Për sa i takon sistemit të lojës: “Nëse do të merrja drejtimin e një ekipi në mes të sezonit, do të përshtatesha.
Por nëse një ekip më zgjedh, e di se çfarë më pëlqen, për këtë arsye do të duhet të mbështesë sistemin tim. Moduli 4-3-3 ka vetëm një problem: është e vështirë të markosh organizatorin e skuadrës rivale. Për pjesën tjetër, është spektakolar.
Unë në stërvitje nuk punoj kurrë për një sistem të dytë loje”. Ndërkohë, Berardi është gati ta ndjekë: “Domeniko është shumë i lidhur me mua. Është shumë i talentuar, por shpesh më zemëron. Më duket sikur është një nga fëmijët e mi…”.
Në fund ka ardhur edhe një mesazh për Mario Balotelin, i cili me pak gjasa do të qëndrojë edhe sezonin e ardhshëm në radhët e kuqezinjve: “Unë, para së gjithash, dua lojtarë që janë gati të sakrifikohen dhe të punojnë për ekipin. Nëse nuk ka bashkëpunim, është shumë e vështirë të fitohet. Duhet që e gjithë skuadra të jetë e mobilizuar në fushë”.