Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të mërkurën se ka ndaluar edhe një person të moshës madhore, i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Rasti ka ndodhur në qershor të këtij viti.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11 vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente.
Kujtojmë se 11 vjeçarja ishte në një park të kryeqytetit, ndërsa derisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht nga disa persona.
Kështu përshkruhet në dosjen e prokurorisë. Ngjarja e rëndë pretendohet të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.
Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.
Dosja e organit ndjekës tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.
Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.
Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.
Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari. Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.
Për rastin në fjalë, të mërkurën u mbajt edhe një protestë masive në Prishtinë, ndërsa dy zyrtarë dhanë dorëheqje, Samedin Mehmeti nga pozita e drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe Ali Gashi nga pozita e drejtorit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.