DHTIK reagon pas vendimit të SHBA-së: Marrëdhëniet e fuqishme me Amerikë janë jetike

E publikuar: 12/09/2025 18:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka pranuar me shqetësim të thellë lajmin për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

DHTIK nëpërmjet një reagimi, vlerëson se ky proces ishte konceptuar si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë.

“Për ne, marrëdhëniet e fuqishme dhe të qëndrueshme me SHBA-në janë jetike, pasi SHBA ka qenë gjithmonë partneri ynë më i madh strategjik dhe ka dhënë mbështetje vendimtare për ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës”, thuhet në reagimin e DHTIK.

Po ashtu DhTIK vlerëson se çdo veprim apo deklaratë që rrezikon prishjen e këtij raporti është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka qenë e para që ka kërkuar nga qeveria që me urgjencë të heq taksën ndaj prodhimeve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi ishin të vonshëm dhe pa ndonjë efekt pozitiv”, thuhet në reagimin e DHTIK.

Në fund të reagimit thuhet se bizneset e Kosovës kanë nevojë për stabilitet politik, siguri juridike dhe partneritete ndërkombëtare për të ecur përpara.

Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.

Në njoftimin e Ambasadës në Facebook thuhet se kjo për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada tha të premten se SHBA mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta.