Dhoma e Tregtisë i kërkon Qeverisë që t’u ndihmojë bizneseve që preken nga taksa e SHBA-së

E publikuar: 03/04/2025 12:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, thotë se ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump që t’i vendosë eksporteve nga Kosova taksën prej 10 për qind.

Dhoma e Tregtisë shprehet se ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili, sipas saj, nga Kosova drejtë SHBA-ve ka pësuar ulje përgjatë muajve të fundit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në dhjetor 2024, eksportet ishin 3.5 për qind, përderisa në muajin janar dhe shkurt 2025, ato ranë në 2.8 për qind, përkatësisht 2.5 për qind në muajin shkurt të këtij viti.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka kohë që ka alarmuar për një vendim të tillë dhe ka kërkuar nga institucionet që të shfrytëzojnë kanalet diplomatike për të mos ndodhur ky vendim. Gjithashtu, DhTIK i bënë thirrje qeverisë që t’u dalë në ndihmë bizneseve që atakohen nga ky vendim”, thuhet tutje në reagim.

Sipas vendimit të presidenit amerikan Donald Trump, ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnia e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.