Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë për të kundërshtuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë elektrike në vend.
Në një reagim zyrtar dërguar mediave, DHTIK e ka cilësuar vendimin e ZRRE-së si të nxituar dhe të marrë pa konsultime të duhura me palët e interesit. Sipas Dhomës, mungesa e një analize të thelluar dhe përjashtimi i aktorëve kryesorë nga procesi vendimmarrës përbëjnë shkelje serioze të transparencës dhe profesionalizmit.
“Ky vendim është marrë pa një analizë të thuktë dhe pa asnjë konsultim me palët e interesit,” thuhet në reagim.
Për më tepër, DHTIK ka ngritur shqetësimin se, nga 19 kompani të cilave ZRRE u ka dhënë licencë për furnizim me energji elektrike, vetëm KESCO aktualisht po ofron këtë shërbim — dhe atë me çmime shumëfish më të larta sesa çmimi ekzistues në treg.
Dhoma ka kritikuar gjithashtu ndryshimet e shpeshta në kriteret e aplikueshme për kompanitë që detyrohen të dalin në tregun e liberalizuar. Deri më tani, kriteret kishin përfshirë vetëm ndërmarrjet me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor deri në 10 milionë euro. Por, sipas DHTIK, ZRRE tani ka zgjeruar kriteret duke përfshirë edhe kompanitë me deri në 50 punëtorë, duke shtuar paqartësitë dhe rrezikun për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
DHTIK paralajmëron se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur interesat e bizneseve kosovare dhe për të kërkuar transparencë dhe drejtësi në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë.

















