Dhjetorin e vitit të kaluar Delawie përjashtonte ashpër opsionin e ndarjes së Kosovës, sot e relativizon

E publikuar: 19/07/2018 21:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. Prej përjashtimit absolut të “ndarjes” si opsion “i rrezikshëm” e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se “kjo iu mbetet palëve”.

Lexojeni integralisht se çka ka thënë ambasadori amerikan Greg Delawie për opsionin e ndarjes së Kosovës në dhjetor në Rubikon dhe si heziton ta përsërisë këtë vijë të kuqe amerikane sot.

(Rubikon, 5 dhjetor 2017):

Adriatik Kelmendi: Spekulimet në medie, thashethëmat për ndarjen e Kosovës sërish janë në tavolinë. Çka mund të thoni për këtë?

Ambasadori Delawie: Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja e vendeve apo rindarja e vendeve përgjatë vijave etnike mbetet plotësisht ‘jashtë tavolinës’. Ne… – nuk mendoj që njerëzit i kuptojnë gjithë ato vështirësi që do të dilnin nga ndarjet e popullatave përgjatë vijave etnike. Një autor i famshëm amerikan, H.L. Mencken, njëherë ka thënë: “për çdo problem të ndërlikuar ekziston një zgjidhje e thjeshtë, e qartë dhe e gabuar”. Mendoj se kjo zbatohet në këtë rast. Të kërkosh një zgjidhje të lehtë për t’i hequr një vendi një copë dhe për t’ia dhënë një tjetri në të vërtetë vetëm se do t’i ndërlikonte gjërat dhe do t’i bënte ato më të rrezikshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin integritetin territorial të Kosovës përgjatë kufijve të saj ekzistues, kufij që i ka prej shpalljes së pavarësisë më 2008-n dhe sigurisht që nuk pres që kjo të ndryshojë.

Kurse kështu u shpreh për të njëjtën pyetje ambasadori Delawie në Rubikon sot:

(Rubikon, 19 korrik 2018): Adriatik Kelmendi: Deri tash, politika e SHBA-së ndaj Kosovës ka qenë: Kosova është e pavarur; sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës duhet të respektohet nga të gjitha palët; ndarja nuk do të diskutohet kurrë. Por, tash a po ngurroni që ta përsëritni këtë gjë?

Ambasadori Delawie: E dini, së pari, mbështetja amerikane për Kosovën, për pavarësinë e Kosovës është e palëkundur dhe do të vazhdojë. Pyetjet tjera që i shtruat ndërlidhen me cilat do të jenë elementet e ujdisë përfundimtare dhe prapë nuk do të hyj në to tani për arsyet që tashmë i përmenda.

Adriatik Kelmendi: Por, e përjashtoni ndarjen apo nuk po e përjashtoni atë?

Ambasadori Delawie: Po them: nuk do të flas për atë se çka një element i ujdisë përfundimtare mund të jetë. Nuk do të flas se kush mendoj do të duhej t’i prijë këtij diskutimi në Bruksel. Nuk do të flas për gjërat apo hollësitë se në ç’sallë duhet të ndodhë kjo apo për trajtën e tryezës. E veçanërisht, nëse i paraprijmë diskutimit që duhet vërtetë të ndodhë këtu dhe që duhet të ketë pjesëmarrje më të madhe nga partitë politike kosovare. Të gjithë duhet të hyjnë në lojë dhe të flasin për këto gjëra.

Adriatik Kelmendi: A do të thotë kjo se çdo ujdi që mund të arrihet ndërmejt Kosovës dhe Serbisë do të jetë në rregull për administratën e SHBA-së?

Ambasadori Delawie: Sërish nuk do t’i përgjigjem asaj pyetjeje. Kërkoj falje. Jeni shumë kreativ dhe po e shtroni pyetjen në disa mënyra të ndryshme, por sërish është e njëjta pyetje dhe nuk dua t’i mërzis shikuesit. Nuk do të hyj në elementet e ujdisë sot.

Adriatik Kelmendi: Por, ju iu keni përgjigjur këtyre lloj pyetjeve më përpara? Diçka ka ndryshuar.

Ambasadori Delawie: Sot, këtë javë, jam i përqendruar që t’i nxis partitë politike të Kosovës, politikanët kosovarë që të përpiqen që të bëhen bashkë dhe të punojnë në atë se cilat janë qëllimet e Kosovës. Mendoj se po i ngutim gjërat nëse flasim se çka do të ndodhë në fund të lojës. Kosova duhet ta gjejë se cilat janë qëllimet e saj; duhet të përpiqet që të arrijë një lloj konsensusi rreth atyre qëllimeve dhe këto janë gjërat në të cilat jam përqendruar tash për tash.

Adriatik Kelmendi: Nuk duhet të ketë vija të kuqe?

Ambasadori Delawie: Nuk mendoj se ndihmon njëmend që unë të flas shumë për vijat e kuqe. I takon Kosovës që ta gjejë cilat janë qëllimet e saj dhe mendoj se Kosova po përballet me një moment unik në historinë e saj kur mund të ndihmojë që të përcaktojë se si do të duket e ardhmja e saj, e ardhmja për fëmijët e saj dhe t’i lë anash nervozitetin, tensionin dhe kundërthënien që e kanë shquar marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë këtyre viteve të fundit. Mendoj se është me rëndësi që të përqendrohemi se si ta bëjmë të ardhmen më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për qytetarët e Serbisë dhe për të gjetur mënyra për të ardhur te ai normalizim për të cilin kemi punuar qe një kohë të gjatë.