Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor thotë se uji i pijshëm në Bulqizë ka rezultuar pa ndotje bakteriale dhe është i përshtatshëm për përdorim, bazuar në analizat paraprake.
Analizat u bënë pasi dhjetëra persona u paraqitën në Spitalin e Bulqizës me simptoma helmimi.
“Në bashkëpunim me ISHSH Dibër, ujësjellësin Bulqizë morëm 7 mostra për analizë bakterologjike dhe nesër del rezultati i tyre. Ditën e premte kemi dërguar 4 pika për analizim të tyre në laboratorin bakterologjik të Burrelit pasi laboranten tone e kishim me leje te zakonshme dhe në përgjigjen e tyre na është thënë se të katër mostrat nuk kishin ndotje bakterologjike”.
“Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ISHP Tiranë të cilët kanë nisur një grup pune prej 3 vetësh për një ekspertizë me të specializuar. Aktualisht në një vëzhgim paraprak të analizave të marra dje në orën 18 nuk vërejmë një tendencë për ndotje bakteriale E Coli, rezultatin e të cilës e nxjerrim pas 24 orësh. Kemi marrë dhe 6 analiza uji sot paradite të cilat do t’i futim në proces”, shkruhet në njoftimin e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor.
Në njoftim theksohet se një ekip tjetër po merr kampione për analiza më të thelluara.
Qytetarët janë paraqitur në spital me diarre, të vjella dhimbje barku dhe pak raste me temperatura, theksohet në njoftim, ndërsa gjendja e tyre është e lehtë dhe pas marrjes së likideve e terapisë, janë larguar në banesat e tyre.
“Vërehet se rastet kanë filluar nga dita e djeshme dhe sot kanë ardhur me një intensitet më të shtuar. Më datë 6 në pediatri janë trajtuar 15 raste dhe në urgjencë janë trajtuar 24 raste. Data 7 në regjistër deri më tani, ora 19 e 45 minuta, kanë regjistruar 35 raste dhe fluksi është në vazhdimësi.
Rastet paraqiten me diarre, të vjella dhimbje barku dhe pak raste me temperatura. Deri më tani gjendja e tyre është e lehtë dhe e dominueshme dhe pas marrjes së likideve dhe terapisë largohen në banesa. Nuk ka të shtruar në spital Bulqizë për momentin.
Në hetimin epidemiologjik të kryer për rastet në fjalë nuk i lidh një konsumim ushqimi i përbashkët pasi janë nga zona të ndryshme dhe nuk kanë konsumuar prodhime të njëjta. Gjithashtu janë nga zona të ndryshme por më të shumtë në numër janë nga qyteti Bulqizë. Disa prej tyre janë banorë në rrethin tonë por që kane ardhur nga jashtë shtetit për pushime. Disa raportojnë dhe se në Bulqizë në lagjen e re të saj linjat e ujësjellësit kane patur problematike por ato kanë konsumuar nga ky ujë. Ne nuk jemi njoftuar nga ujësjellësi për ndonjë defekt”, theksohet në njoftim.
/Tch