Dhëndri i së moshuarës tregon për shenjat e dhunës dhe arsyet pse ajo u dërgua në këtë qendër nga familja

E publikuar: 02/11/2022 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Erzen Vela, dhëndri i së moshuarës e cila u keqtrajtua në qendrën e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ka thënë se në trupin e vjehrrës së saj ishin vërejtur shenja dhune 4 ditë më parë.

Ai ka thënë se e bija e saj dhe bashkëshortja e tij, Zhaneta Nura kishte vërejtur shenja në faqen e saj, por nuk e kishte menduar që mund të jenë shkaktuar nga ushtrimi i dhunës, por nga ndonjë lëndim.

“Para 4 dite kur e bëri vizitën e ka parë një shenjë në faqe, por s’ka mundur ta imagjinojë këtë… e ka lënë që ka qenë një lëndim”, ka thënë ai në emisionin Pressing.

Vela ka thënë se ajo ishte dërguar në këtë qendër në mënyrë që të merrte trajtim më të mirë për shkak të sëmundjes nga e cila vuan.

“Për shkak të pamundësive, sepse njëri djalë është i vrarë, dëshmor, njëri në Belgjikë dhe shoqja në punë, dhe mungesa e kohës dhe sëmundja e saj, u vendos që ajo të trajtohej në një qendër rezidente si kjo”, ka deklaruar ai.

Dhëndrri i së moshuarës ka thënë se ajo, për shkak të sëmundjes, nuk është në gjendje të mbajë mend skenat e dhunës që i ka përjetuar.

Ai ka treguar në emision se informatën për keqtrajtimin e saj e kanë marrë sot nga mediat dhe e kanë tërhequr nga qendra pak orë më pas.

“Nga videot që janë shpërndarë në rrjete sociale, kjo ka qenë informata e vetme. Mandej kemi udhëtuar në Pejë dhe e kemi bërë tërheqjen e saj. Kam biseduar me menaxherin e qendrës, kam kërkuar të ma jap vendimin që po e tërheqim nënën e gruas për shkak të kësaj”, ka deklaruar ai. /GazetaExpress