Hekuran Murati
Ministri i Financave u dënua me ndalimin e 50% të pagës së tij. Hekuran Murati nuk ka respektuar vendimin për anulimin e konkursit për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, edhe pse është konstatuar se ka bërë shkelje ligjore kur e ka hapur këtë konkurs. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vlerësuar se konkursi sipas ligjit duhet të shpallet nga Ministria e Punëve të Brendshme
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili nuk ua ekzekutoi punëtorëve të arsimit pagat e shtatorit ditën e premte siç kishte bërë me të punësuarit tjetër në sektorin publik, në fund të këtij muaji nuk do ta merr as vet rrogën e plotë.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e ka dënuar me 3 tetor Muratin me 50% të pagës, pasi nuk ka respektuar vendimin për anulimin e konkursit për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës.
Dikasteri që e drejton Murati, kishte shpallur konkursin për drejtor të ATK-së jashtëligjshëm, ndonëse kjo është në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në muajin korrik kishte përpiluar raportin e monitorimit të jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, lidhur me ligjshmërinë e konkursit për pozitën e punës së drejtorit të përgjithshëm të Administratës Tatimore.
U gjetë se konkursi u shpall në kundërshtim me nenin 40 të ligjit për zyrtarët publik, shkruan Gazeta Insajderi.
“Raporti i aprovuar përmban konstatimin se konkursi i Ministrisë së Financave për pozitën e drejtorit të ATK-së është shpallur në kundërshtim me nenin 40 të ligjit për zyrtarët publik pasi që i njëjti nuk ishte shpallur nga organi kompetent gjegjësisht departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publik i cili funksionon në kuadër të ministrisë përgjegjëse për administratën publike respektivisht Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në vendimin e KPMShCK.
Me arsyetimin e kthimit të ligjshmërisë në Shërbimin Civil të Kosovës, këshilli ka obliguar Ministrinë e Financave që brenda 15 ditësh të anuloj këtë konkurs.
Ministri Murati nuk e kishte përfillur vendimin e KPMShCK.
“Këshilli mandej ka konstatuar se vendimi i 14 korrikut për anulimin e konkursit nuk është zbatuar nga Ministria e Financave edhe për kundër faktit se Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 22 gusht ka refuzuar propozimin e Ministrisë së Financave për shtyrje të ekzekutimit të vendimin 14 korrik të këshillit”, thuhet në vendim.
Pavarësisht se vendimi i këshillit është vendim administrative i formës së prerë dhe duhet të zbatohet nga ministri si personi përgjegjës i institucionit, Murati nuk e anuloi. Rrjedhimisht KPMShCK mori vendimin e ri, gjobë ndaj Muratit.
“Vendimi i datës 14 korrik nuk është zbatuar nga personi përgjegjës i institucionit – në mbështetje të ligjit për këshillin e pavarur mbikëqyrës si dhe aktvendimit në rastin e datës 20 maj 2019 të Gjykatës Kushtetuese, kryetari i këshillit vendosë ndalimin e 50% të pagës mujore për ministrin e financave, punës dhe transfereve si personi përgjegjës për zbatimin e vendimit të këshillit”, thuhet në vendimin e datës 3 tetor.
Sipas këtij vendimi, drejtori i përgjithshëm i thesarit obligohet që të bëjë ndalesën e 50% të pagës mujore për ministrin brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të vendimit.
Kjo vlen “deri në zbatimin e vendimit të 14 korrikut gjegjësisht deri kthimin e ligjshmërisë në shërbimin civil”.