Është bërë kontakt me një pasagjer dhe një anëtar të ekuipazhit, të helikopterit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ka thënë një zyrtar për televizionin shtetëror.
Zyrtari i paidentifikuar tha se kontaktet janë bërë në disa raste, shkruan Sky News.
Dhe korrespondenti i Sky News në Lindjen e Mesme, Alistair Bunkall thotë se ky shënon një “zhvillim vërtet domethënës”.
“Kjo sugjeron se mund të ketë të mbijetuar dhe ndoshta ata janë shumë afër vendit të përplasjes, gjë që përsëri do të ishte një moment shprese”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, raportojnë mediat e huaja, Komisioni Evropian ka aktivizuar shërbimin e hartës satelitore për të ndihmuar në kërkimin e presidentit të Iranit.
Komisioneri i menaxhimit të krizave Janez Lenarcic tha në X se shërbimi po aktivizonte “shërbimin e tij të hartës së reagimit të shpejtë në funksion të aksidentit të helikopterit”.
Ai theksoi se vendimi për të aktivizuar shërbimin erdhi pas një kërkese për ndihmë nga Irani.
Ndryshe, Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave të Komisionit Evropian Copernicus ofron produkte hartash bazuar në imazhet satelitore.