Detaje nga vrasja e mbrëmshme me thikë në Ferizaj (Video)

E publikuar: 16/06/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një konflikt i mëhershëm dyshohet se i kushtoi me jetë Elvedin Ibrahimit natën e festës së Bajramit.

26-vjeçari, një natë më parë mbeti i vdekur në vend, pas therjeve me thikë që i mori gjatë një përleshjeje fizike në të cilin u përfshinë tre persona, raporton KTV.

Në pamjet të cilat i ka siguruar KTV-ja, shihet se derisa Ibrahimi ishte duke kryer punën e tij si sigurim i lokalit “N’Konak”, një person i afrohet me thikë në dorë dhe e godet në krah.

E menjëherë pas sulmit fillestar, edhe 2 persona të tjerë përfshihen në këtë përleshje.

Por kjo nuk ishte përleshja e parë që Elevedin Ibrahimi e kishte me personat të cilët e vranë.

Një vit më parë, 26-vjeçari ishte sulmuar nga po këta persona në po këtë lokal.

Përpjekjet për t’i pajtuar familjet nuk kishin pasur sukses.

Policia tashmë ka arrestuar dy persona D.SH, 29-vjeçar i dyshuar për ‘vrasje të rëndë’ dhe M.M, 22-vjeçar i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku, përmes telefonit ka konfirmuar për KTV-në se Prokuroria është në ndjekje edhe të personit të tretë për këtë vrasje, i cili për momentin është në arrati.

Maloku ka konfirmuar se Elvedin Ibrahimi një vit më parë, ishte dënuar me burgim për sulmin dhe konfliktin që pati me po këta persona.

KTV-ja ka kontaktuar edhe avokatin Agim Demiri, i cili e kishte mbrojtur të ndjerin për sulmin e një viti më parë, por Demiri ka thënë se është prekur nga rasti, andaj nuk mund të flasë asgjë.

KTV-ja ka qëndruar edhe në familjen e Elvedin Ibrahimit, por ata nuk kanë dashur të flasin për rastin, derisa kanë thënë se ende nuk kanë informata se çfarë saktësisht ka ndodhur.