Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Llapqevë të Malishevës, ku një burrë është gjetur pa shenja jete brenda shtëpisë së tij.
Burime bëjnë të ditur se viktima është Andi Halili, rreth 43 vjeç, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje duke përdorur një armë zjarri të llojit pistoletë TT, kalibër 9 mm, e cila është gjetur në vendin e ngjarjes.
Rasti është raportuar përmes një thirrjeje telefonike nga një familjar, i cili ka njoftuar Policinë se viktima ishte gjetur pa shenja jete në banesë.
Siç mëson Sinjali, menjëherë pas pranimit të informatës, në vendngjarje kanë dalë njësitë patrulluese të Policisë, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor Malishevë, si dhe Hetimet Rajonale të DRP Gjakovë. Po ashtu, është angazhuar edhe Emergjenca e qytetit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Në lidhje me rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, ndërsa njësitë relevante kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Rasti po trajtohet nga autoritetet kompetente, ndërsa hetimi do të zbardhë më shumë detaje.

















