Dështon të mbahet seanca në Apel ndaj të dënuarit me 21 vjet burgim për vrasjen me dy plumba

E publikuar: 01/06/2023 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mungesë të mbrojtësit të të akuzuarit Xhelal Ramadani, avokatit Rrustem Lajqi, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën e Apelit, në rastin ku Ramadani është dënuar me 21 vite burgim për vrasjen e Sh.L.

Kolegji i gjyqtarëve me kryetar Xhevet Abazin, anëtare gjykatësen Tonka Berisha dhe gjyqtarin referues Hashim Çollaku, konstatuan se avokati Lajqi mungon dhe pa prezencën e tij nuk mund të zhvillohet seanca gjyqësore në Apel, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I dënuari Ramadani tha se meqenëse prezenca e mbrojtjes është e obliguar, kërkon nga gjykata që t’i caktohet një avokat nga shteti, pasi që avokati Lajqi më nuk do të ofrojë mbrojtje për të.

Prezent në seancë ishte edhe pala e dëmtuar Qëndrim Limani, mirëpo edhe për të mungoi përfaqësuesi, avokati Valon Sadiku.

Gjykata bëri të ditur se meqenëse avokati nuk ka njoftuar paraprakisht se mungon dhe nuk dëshiron të mbrojë më Ramadanin, seanca shtyhet për kohë të pacaktuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 gusht 2022 ka shpallur aktgjykim, me të cilin Ramadanin e ka dënuar me dënim unik prej 21 vite burgim.

I akuzuari Ramadani akuzohej për “Vrasje të rëndë, por trupi gjykues ka rikualifikuar veprën duke cilësuar të njëjtën si “Vrasje”, për këtë gjykata i ka shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 20 vite burgim. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje u dënua me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj. Me këtë rast, gjykata në bazë të nenit 76 të KPPK ka shqiptuar dënimi unik prej 21 vite burgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 tetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Xhelal Ramadani, në Gadime të Ulët, Komuna e Lipjanit, më 16 korrik 2021, për shkak të mosmarrëveshjes që kishte pasur një javë më parë rreth fëmijëve dhe përleshjes fizike në ditën kritike, me dashje që ta privojë nga jeta dhe për shkak të hakmarrjes, kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe e kishte marrë armën e tipit “Ecol Special 99” dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të tani të ndjerin Sh.L, duke e goditur në kokë, ku si pasojë e plagëve të marra, i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.