Ka dështuar të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti ka njoftuar se takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve.
Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë ishte i pranishëm në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë çfarë ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve.
“Prania e Petkoviçit në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që banal, është edhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes se fatit të personave të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën që sot janë thirrur në Bruksel.
Ai ka thënë se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat sipas agjendës së parashikuar.
“Për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së. Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, ka thënë Hoti.