Shumë nga ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, të cilat ishin privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, nuk kanë arritur të funksionalizohen dhe konsiderohen si të dështuara nga ekspertë të çështjeve të ekonomisë dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Ata thonë se privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nuk ka mundur të arrijë objektivat e vet ekonomikë.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se një numër i madh i ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara nuk kanë arritur të funksionalizohen.
“Në Kosovë janë privatizuar shumë asete të rëndësishme, të cilat shpesh kanë përfunduar në duart e njerëzve, të cilët kanë pasur kapital që t’i blejnë si asete, por që nuk kanë pasur projekte apo vizion për t’i funksionalizuar ato fabrika apo asete”, thotë ministrja Bajrami.
Që nga viti 2002 kur filloi procesi i privatizimit në Kosovë deri më tani janë rreth 1296 ndërmarrje shoqërore, me një vlerë prej mbi 700 milionë eurosh, të cilat janë privatizuar.
Privatizimi i shumicës së ndërmarrjeve shoqërore edhe nga ekspertë të fushës së ekonomisë konsiderohet të jetë i dështuar.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia e Kosovës është duke bartur pasojat e një procesi të dobët të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Privatizimi, thotë Ramosaj, dëmtoi ekonominë e Kosovës dhe nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike.
“Privatizimi filloi me vështirësi të mëdha dhe nëse e shikojmë në përgjithësi procesi i privatizimit në Kosovë ka dështuar. Ndërmarrjeve, të cilat u shitën, iu ndërrua destinimi dhe nuk i përmbushën kontratat, gjë që pastaj shumë punëtorë mbeten të papunë”, thekson Ramosaj.
Shumica e ndërmarrjeve të shituara në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special.
Te këto të fundit, privatizimi nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.
Por, jo të gjitha kanë mundur t’u përmbahen kontratave të nënshkruara me autoritetet kompetente. Disave prej këtyre ndërmarrjeve, siç janë Grand Hoteli, Miniera e Goleshit, Miniera e Strezovicit dhe Llamkosit, u janë marrë aksionet dhe janë kthyer në pronësi të AKP-së.
Veton Hajdini nga Agjencia Kosovare e Privatzimit në një përgjigje dërguar nëpërmjet postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se monitorimi i zhvillimit të ndërmarrjeve është pjesë e mandatit të Agjencisë vetëm në rastet e spin off-eve speciale dhe të ndërmarrjeve të privatizuara me kushte.
“Gjithsej 26 ndërmarrje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit janë privatizuar me metodën spin-off special, dhe të gjitha këto në kohën e ish AKM-së. Si trashëgimtare e ish AKM-së, AKP-ja ka trashëguar kontratat e spin off-eve dhe ka mbikëqyrur procesin e përmbushjes së obligimeve kontraktuese nga ana e blerësve të tyre. Nga 26 ndërmarrje, AKP-ja ka bërë tërheqjen e aksioneve për 4 ndërmarrje, si pasojë e mospërmbushjes së kushteve kontraktuese derisa janë gjithsej 9 ndërmarrje që akoma janë nën monitorim të AKP-së”, ka thënë Hajdini.
IDGJ Tabacco, NBI Suhareka/Agrokosova, Sharrcem, Ferma e Gjedheve Dubrava, Emin Duraku Edico, Emin Duraku kombinati industrial, FBI Trepça – Pejë, Famipa – Prizren dhe Hotel Union – Prishtina, janë ndërmarrje ende nën monitorimin e AKP-së.
Kosova pati filluar privatizimin e përgjithshëm të ndërmarrjeve shoqërore në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces.
Udhëheqës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin thënë se iu nevojiten edhe shtatë vjetkohë, në mënyrë që të përfundojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre në Kosovë.