Dështimi diplomatik i Hashim Thaçit!

E publikuar: 14/07/2015 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi që nga “rënia” e tij prej pozitës së Kryeministrit, në atë të Ministrit të Punëve të Jashtme, vetëm sa ka dështuar.

Ai përpos që nuk ka arritur të nënshkruaj ndonjë marrëveshje bilaterale me ndonjë shtet, nga e cila marrëveshje do të përfitonin qytetarët e vendit, Hashim Thaçi për tetë muaj sa është në krye të diplomacisë kosovare, nuk ka arritur që të siguroj më shumë se dy njohje.

Madje, njëra prej shteteve që e ka njohur Kosovën nuk është as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që praktikisht i bie që ai prej se është në krye të MPJ-së ka sjellë vetëm një njohje të një shteti, që është anëtar i OKB-së.

Njohjen e parë kishte ardhur më 20 maj nga shteti Antigua dhe Barduda, derisa njohja e fundit ka ardhur më 24 qershor nga shteti i Niue, i cili nuk është anëtar i OKB-së, raporton Gazeta Blic.

Për më tepër, askush as nga Ministria e Punëve të Jashtme e as nga Presidenca e Kosovës nuk e kanë as idenë se sa shtete deri më tani e kanë njohur Kosovën. Derisa Hashim Thaçi zyrtarisht thotë se Kosovën e kanë njohur 110 shtete, në ueb faqet e MPJ-së dhe të Presidencës figurojnë se Kosovën e kanë njohur vetëm 94 shtete.

Kanë kaluar thuajse tre vjet që kur në ueb faqen e MPJ-së nuk është rifreskuar rubrika, ku shënohen shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Burime të Gazetës Blic brenda MPJ theksojnë se janë të paktën dy shtete, Uganda e Nigeria që nuk e kanë njohur Kosovën, e që për Hashim Thaçin dhe zyrtarët tjerë konsiderohen si njohje. “Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse në ueb faqen e MPJ-së nuk po rifreskohen të dhënat e fundit për njohjen e Kosovës”, tha ky burim.

Zyrtarisht, zyrtarët e MPJ-së mos rifreskimin e të dhënave  në ueb faqe e kanë arsyetuar me atë se janë duke e ridizajnuar atë, dhe në mënyrë që të mos ketë punë të dyfishtë.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani disa herë nga foltorja e Kuvendit e kishte akuzuar ministrin e Punëve të Jashtme se nuk e di se sa shtete deri më tani e kanë njohur pavarësinë e vendit.

Hashim Thaçi, kur ishte shpallur pavarësia e vendit më 17 shkurt 2008, kishte thënë se është duke u zhvilluar një garë e ashpër ndërmjet shteteve se kush do ta njoh i parë pavarësinë e vendit./ Gazeta BlicUntitled