Dështimet e Qeverisë sipas opozitës

E publikuar: 25/03/2023 10:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ikja e profesionistëve shëndetësor, inflacioni shumë i lartë e ndërprerja e investimeve kapitale, janë disa nga dështimet që i përmendin Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës për Qeverinë Kurti, raporton Ekonomia Online.

PDK e LDK thonë se për këto dy vite ka pasur degradim e moszhvillim ekonomik, teksa përmendin inflacionin e lartë e shtrenjtimin e energjisë elektrike si pasojë e “keqqeverisjes”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, thotë se Kosova për këto dy vite ka stagnuar në shumë sfera. Ajo përmend dështimin për të siguruar njohje të reja, inflacionin e shtrenjtimin e energjisë elektrike e të produkteve bazë.

“Më 14 shkurt si duket është vendosur një moratorium në shtetin e Kosovës, sepse tash e dy vite ne nuk kemi pa që është bërë ndonjë punë nga kjo qeveri edhe kanë ardh në pushtet që dialogun e kanë pasur si pik të shtatë në programin e tyre, tani ka dalur si pik e parë. Gjithashtu kanë ardhur në pushtet me parimin se nuk do të ketë nepotizëm tani po e shohim se shumica e institucioneve janë kapur nga VV-ja”, u shpreh Krasniqi, teksa përmend edhe ndaljen e investimeve kapitale.

“Kanë ardhur në pushtet se do t’i ndërtojnë të gjitha autostradat, deri më tash nuk kemi as një fillim të ndërtimit të tyre, gjithashtu kemi ndërprerje të magjistrales Prishtinë- Mitrovicë. Për shkak të problemeve që i kanë në ministri dhe siç duket tash duhet që t’i merr tenderin dikush i partisë së VV-së. Kanë ardhur në pushte që për qiftet do të kenë banesa, ndërsa tani është shtrenjtuar tatimi në pronë. Kanë ardhur në pushtet se do të lirohet energjia, ndërsa tani kemi 100 për qind shtrenjtim të energjisë. Ka rritje të produkteve bazike mbi 50 për qind”, tha ajo.

“Nuk ka pasur progres, mund të them se në disa dikastere ka pasur vetë regres. Sa i përket politikës së jashtme, tash e dy vite nuk kemi anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk kemi njohje te reja dhe tashmë kemi një marrëveshje e cila është e dëmshëm për vendin. Në atë marrëveshje në si opozitë kemi pritur që të ketë njohje përfundimtare dhe tash kryeministri del e thotë që nuk ka njohje përfundimtare por njohje bazë”.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, thotë se për këto dy vite të Qeverisë Kurti, nuk ka përmirësim të ndonjë sektori.

Ai thotë se shëndetësia është në gjendje të rëndë, si për mungesë të barnave e listë të gjatë të pritjes.

“Realisht është një mos përmbushje e zotimeve të kësaj qeverie në raport me premtimet dhe ne raport me programin qeverisës, po thuaj se në sa një fushë nuk kemi pa ndonjë përmirësim të gjendjes ose një avancim të një sektori. Kur jemi tek shëndetësia mund të themi që ka pasur degradim të këtij sektori, shëndetësia jonë gjatë këtyre dy viteve është përball edhe më mungesa më të mëdha të barnave, është përball edhe më lista më të mëdha të pritjes për pacient, me ikje më të mëdha edhe të profesionistëve shëndetësore jashtë vendit”, thotë ai.

Si pasojë e kësaj qeverisje, Haxhiu përmend largimin masiv të punëtorëve shëndetësor. Ai përmend edhe mungesën e ligjeve adekuate në fushën e shëndetësisë.

“Vetëm në vitin 2022 janë më shumë se 1000 mijë profesionist shëndetësor, që kanë braktisur Kosovë. Kjo është një breng e madhe për ne do të krijoj pasoja të mëdha në sektorin e shëndetësisë dhe për dy vite qeveris nuk ishte në gjendje të paktën strategjinë për shëndetësinë ta miratonte që e kishte në program në kuadër të reformës për shëndetësi të premtuar. Deri sa s’ka strategji nuk ka as ligje, tek këtë javë kanë filluar që të vijnë ligjet e para për sektorin e shëndetësinë. Por që nuk janë ligje substanciale në këtë rast, ligji për shëndetësi, ligji për sigurime shëndetësore, ligji për pajisje me produkte medicinale që do të kishin një impakt në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë”, u shpreh ai.