Privatizimi i Brezovicës nuk paraqet dështimin e vetëm të ndërmarrjeve të mëdha publike që konsiderohen si burim i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Qeveria e Kosovës dy herë dështoi në privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, ndërkaq, Kombinati metalurgjik Trepça për vite është duke kaluar në procese që vazhdojnë të zvarriten.
Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kompania “Axos – Capital” u shpall fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh, por kontrata, sipas kompanisë fituese, nuk u zbatua asnjëherë. Kompania e paditi Qeverinë e Kosovës dhe proceset gjyqësore janë duke u zhvilluar.
Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik i thanë Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk është planifikuar një proces i ri i privatizimit të PTK-së, meqë po kërkohet rritja e vlerës së kompanive publike, pavarësisht statusit të tyre të ardhshëm.
Naim Zeqiri, udhëheqës i divizionit për komunikim me publik në këtë ministri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës ka po këtë qasje edhe për Postë Telekomin.
“Aktualisht ende është duke u zhvilluar procesi gjyqësor sa i përket pretendimeve të ish ofertuesit AXOS, dhe vetëm pas përfundimit të këtij procesi mund të flitet për planifikime të proceseve të tjera, përfshirë edhe çështjen e privatizimit të mundshëm”, ka shtuar Zeqiri.
Dështimi i Brezovicës
Postë Telekomi është njëri rrëfim, i mëhershëm. Por, një tjetër projekt ka dështuar së voni. Zhvillimi i qendrës turistike të Brezovicës është deklaruar i dështuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak se konsorciumi i udhëhequr nga kompania franceze nuk ka arritur të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për zbatimin e projektit.
Dështimet në procesin e privatizimit, për Muhamet Mustafën, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, dëshmojnë se Kosova ka pasur një qasje të gabueshme dhe të papërgatitur në këto procese.
Në përgatitjen e privatizimeve të këtyre kompanive, shton Mustafa, nuk janë bërë hapat e nevojshëm.
“Problemi është se nganjëherë nga dëshira që të ndodh diçka, qeveria e kaluar ka marrë vendime që të tentojë të bëjë kontrata me investitorë të cilët nuk i kanë pasur kapacitetet për t’i menaxhuar projektet serioze, siç është PTK-ja apo projekti për Brezovicën”, thekson Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Kompleksi metalurgjik Trepça
Ndërkohë, ndërmarrja “Trepça”, një prej kombinateve më të mëdha në Kosovë, në periudhën e sistemit të mëhershëm pati ngjallur reagime të shumta në Kosovë, në kohën kur u mendua ndryshimi i statusit të saj. Qeveria e tërhoqi nga Kuvendi një ligj dhe ka afro një vit që po punon në hartimin e një projektligji, i cili do ta shndërronte këtë ndërmarrje në pronë të Qeverisë së Kosovës.
Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti.
Arta Gosalci Dedi, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se do t’i përmbahen këtij afati për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës.
“Për momentin, Agjencia Kosovare e Privatizimitështë në proces të angazhimit të ofruesit të jashtëm të shërbimeve profesionale për të realizuar një studim të fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillim të Ndërmarrjes Trepça, detyrë kjo e cila mund të konsiderohet punë e mbetur për t’u kryer deri në fund të muajit tetor”, ka theksuar Gosalci.
“Trepça”, ndërkaq, vazhdon të jetë e ndarë përgjatë vijave etnike, si edhe vetë qyteti i Mitrovicës. Autoritetet në Serbi e kanë deklaruar Trepçën pasuri të tyre dhe kanë kërkuar që të mos lejohet ndryshimi i statusit të saj. Në fillim javë, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se përfaqësuesit e gjashtë komunave në Kosovë me shumicë serbe dhe me pjesëmarrjen edhe të ministrit në qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq, kanë zhvilluar një takim, në të cilin kanë diskutuar për të ardhmen e këtij kombinati.
“Kombinati Trepça, si një prej subjekteve më të mëdha ekonomike, ka një rëndësi strategjike për mbijetesën dhe prosperitetin e popullit serb në Kosovë”, thuhet në këtë komunikatë për media të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe njëkohësisht theksohet se pjesëmarrësit janë pajtuar se “asnjë vendim nuk mund të merret në mënyrë të njëanshme dhe pa përfilljen e faktit se kapacitetet e tij më të rëndësishme ndodhen në territorin e komunave me shumicë serbe”.
Megjithëkëtë, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, është shprehur me tone optimiste për të ardhmen e kombinatit Trepça.
“Për Trepçën do të ketë investitorë edhe të brendshëm edhe të jashtëm. Duhet një studim i mirë i fizibilitetit, një përgatitje më e mirë dhe duhet të gjendet një balans në mes të interesave të investitorit dhe të interesit publik. Duhet të hyhet me investitorë që kanë një referencë, që kanë një praktikë në investime dhe kanë një emër të mirënjohur, si për fuqinë financiare, ashtu edhe për etikën në biznes”, thotë Mustafa.
Ndërkohë, përfaqësuesit e bizneseve kanë paralajmëruar se dështimi i procesit të privatizimit të Brezovicës, si dhe dështimi i mundshëm i Termocentralit “Kosova e Re”, vetëm sa do t’i përkeqësonte dhe do t’i rëndonte të gjitha përpjekjet për sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë. (REL)