Më 12 prill të vitit 2012 në Liqenin e Smillkovës u vranë pesë persona me armë zjarri. Ajo që është aktuale dhe që edhe sot hedh dyshim për hetimin dhe vendimet gjyqësore është fakti se për Samil Lutën, i cili është i dënuar me burg të përjetshëm po paraqiten njerëz që janë të gatshëm të dëshmojnë në mbrojtje të tij. Njëri prej tyre është shok i afërt me Samiun, të cilit nuk iu lejua të dëshmojë për atë se ku ka qenë i dënuari në momentin e vrasjes. Për Reporter.mk (emri i njohur për redaksinë) flet njëri nga shokët e Samiut.
“Unë jam shok i afërt me Sami Lutën. Që nga fëmijëria e njoh shumë mirë. Samiu është dënuar me burg të përjetshëm për rastin e Liqenit të Smillkovës. Natën kur ndodhi vrasja, unë dhe Samiu dhe disa shokë të tjerë ishim në internet kafenenë e lagjes. Rreth orës 22.00 lexova për vrasjen në internet, ndërsa ai ishte afër meje dhe menjëherë i tregova se çfarë ka ndodhur. Nuk mund të besonim se çka me të vërtetë ka ndodhur, nuk e dinim e as që e kishim të qartë për cilin liqen bëhej fjalë, asnjëherë më parë nuk kishim dëgjuar se ekziston Liqeni i Smillkovës”.
Më tej, dëshmitari thotë se Samiu është dënuar si njëri nga personat që ka përshkruar ‘dëshmitari mbrojtës’ sipas dukjes së jashtme se ka pasur flokë të gjata deri në supe, ndërsa Samiu nga periudha e vitit 2011 ka mbajtur flokë të shkurta.
“Policia e ka kërkuar me fotografi nga fotografimi i tij i fundit për letërnjoftim ose pasaporta. Samiu asnjëherë nuk ka pasur problem me ligjin, as që ka pasur dosje kriminale që të arrestohet në stacionet policore. Nga ana e avokatit janë dërguar fotografi nga dita kur i ka shkurtuar flokët, fotografi të tij me flokë të shkurtra ekzistojnë deri në mars të viti 2012 edhe me dashurën e tij. Në gjykatë është dorëzuar edhe incizim nga dasma e një shokut tonë në shkurt të viti 2012 ku Samiu është me flokë të shkurtra. Pyes, a është e mundur për aq kohë të shkurtër, aq shpejt për dy muaj, flokët të rriten deri në supe?! Argumentet nuk janë marrë parasysh (incizime dhe fotografi). Unë isha i paraqitur si dëshmitar, po ashtu edhe një shok i joni i cili ishte me ne atë mbrëmje, por nuk na u lejua të dëshmojmë në gjykatë. Gjykatësi nuk lejoi asnjë dëshmitarë të dëshmoj për asgjë. Shoku im është dënuar me burg të përjetshëm”, ka thënë për Reporter, njëri nga shokët e Samiut, transmeton SHENJA.
Për rastin e Smillkovës, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, ka njoftuar se do të publikoj gjitha materialet që i posedon në kuadër të projektit të tij “E vërteta për Maqedoninë”./lajmpress/