Dëshmitari Predrag Dediq, gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se ndërtesa e zjarrfikësve në Rahovec ishte qendër për serbët e rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që pastaj, sipas tij, nga aty i merrnin dhe i vrisnin.
Prokurori Cezary Mihailzcuck kishte cituar edhe deklaratën që kishte dhënë dëshmitari para Task-Forcës Hetimore Speciale.
“Citoj: ata më çuan në ndërtesën e zjarrfikëses, supozoj dhe e them me 1000 % se ajo ishte një qendër ku mbanin serbët e kidnapuar, mbyll citimin”. Ku e dini ju dëshmitar që në ndërtesën e zjarrfikëses ishte një qendër grumbullimi për serbët e rrëmbyer?”, pyeti prokurori.
Ndërsa, dëshmitari pohoi sërish atë që e kishte thënë më herët në deklaratën e tij.
“E di, e kam fakt. E di që ishte qendër grumbullimi. Pastaj, i merrnin personat nga kjo qendër dhe i vrisnin”, tha dëshmitari.
Këtë gjë, ai tha se e ka mësuar nga gruaja e Petko Peleviqit.
“E kam mësuar nga ajo. Personat flisnin dhe thonin që tek ky vendi, personat i mbanin shumë shkurt dhe pastaj që atje i çonin në një vend tjetër dhe nuk e di se ku”, tha dëshmitari Dediq./BetimiPërDrejtësi