Mali i Zi dhe Kosova deri në fund të vitit do t’i shkëmbejnë ambasadorët me status të plotë diplomatik, ka thënë zëvendësministri i punëve të jashtme, Petrit Selimi.
Selimi, në një intervistë dhënë gazetës nga Podgorica, “Pobjeda”, ka thënë se pakica kombëtare malazeze dhe kroate në Kosovë do të fitojnë status kushtetues, i cili do të mundësojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.
“Këto dy komunitete janë të vogla, por njohja e tyre kushtetuese do të do të ishte njohje e të drejtave historike të trashëgimisë së Kosovës”, ka thënë Selimi, transmeton Koha.net.
Selimi ka shtuar se shtatë për qind e votuesve nga komunitetet pakicë kanë 17 për qind të përfaqësuesve në Parlamentin e Kosovës.
Zëvendësministri i Jashtëm ka thënë se Kosova është “shteti i parë nga ish-Jugosllavia” që në mënyrë paqësore ka kryer demarkacionin me tri të katërtat e kufirit të saj “duke u bërë kështu kampion në promovimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore”.
Ai ka shtuar se kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi, për çka është nënshkruar edhe një marrëveshje në Vjenë, “është i qartë” që nga viti 1974, por që kjo është dashur të vendosej në letër.
“Komisionet e Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacion kufitar kanë punuar për disa vite, ndërsa marrëveshja është nënshkruar në Vjenë, marrëveshje të cilën e kanë përshëndetuar Bashkimi Evropian dhe SHBA-të. Presidenti amerikan, Barack Obama, javën e kaluar ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë që tregon se edhe Kosova edhe Mali i Zi gëzojnë përkrahje të madhe në procesin e demarkacionit”, ka theksuar Selimi.