Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti në emisionin “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se nuk i ka shkuar ndërmend se policia do ta arrestonte deputetin Albin Kurti më 28 Nëntor, derisa ka shtuar se në këtë datë vetëm regjimi i Serbisë arrestonte shqiptarë.
Ajo në vazhdim ka folur për situatën politike, të cilën e ka quajtur krizë të shkaktuar nga koalicioni qeveritar PDK-LDK-Srpska.
“Kriza në vend është e thellë dhe po shkon duke u thelluar dhe së paku do të duhej të kishim mirëkuptimin nga ana e kolegëve tanë që në këto momente të mos thërrasin seanca. Qeveria ka instrumentalizuar kuvendin dhe bënë presion mbi të që të ftojë seanca. Në këtë kohë është e pamundur të zhvillohet një seancë normale sepse nuk mund të flasim për një vend demokratik sepse kuvendi zhvillohet pa praninë e opozitës. Ne jemi të vendosur që t’i kundërshtojmë deri në fund këto marrëveshje”.
Në “Interaktiv” ajo ka përmendur edhe arrestimet e fundit që janë bërë ndaj deputetëve të opozitës, përkatësisht ndaj Vetëvendosjes.
Këto arrestime “nuk do ta pengojnë aktivitetin tonë për të kundërshtuar zbatimin e marrëveshjeve – Zajednicën dhe Demarkacionin – të cilat i ka nënshkruar kryeministri Isa Mustafa.
Në përkujtimin se Kurti megjithatë kishte një fletarrest dhe se ishte i detyruar të paraqitej tek organet e hetuesisë, deputetja Dërguti tha se edhe kryeministri Mustafa është ai që ka 70 dosje në Prokurori dhe askush nuk ka ngritur asgjë kundër tij, por përkundrazi ai vazhdon ta udhëheqë qeverinë e korruptuar të këtij vendi.
“Këto janë përpjekje të kota sepse qytetarët po vetëdijesohen për dëmet e këtyre marrëveshjeve. Kështu po flasin edhe sondazhet e fundit ndërsa ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona kundër marrëveshjeve”, ka thënë deputetja Dërguti, duke folur për arrestimet e deputetëve.
Dërguti nuk është pajtuar se opozitës, me arrestimin e deputetëve, po i pakësohen numrat: “Ne nuk jemi varur asnjëherë nga numrat, edhe ashtu si opozitë kemi qenë të vogël me numër, por gjithmonë kemi qenë të zëshëm dhe do të vazhdojmë çdo mjet të mundshëm për t’i bllokuar marrëveshjet”, ka shtuar ajo.
“Ne gjithmonë shkojmë në Kuvend, të vetmet raste kanë qenë kur jemi bllokuar nga policia. Ne nuk jemi të interesuar që të gjuajmë gaz, nuk është mjet i pëlqyeshëm por mjet i vetëm për të ndalur seancën. Nuk jemi vendi i vetëm që përdorë mjete të tilla. Ky është mjeti më efikas për ta penguar seancën. Gazi shkakton vetëm lot, gjithë efekti i tij është nxitja e lotëve që ka për qëllim shpërndarjen e turmës nëpër protesta”.