Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale i kanë dërguar në Finlandë mostrat biologjike të terroristëve të Banjskës, në vendin ku ata kanë qëndruar më 24 shtator të vitit të kaluar.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar Flamur Pireva, këshilltari i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Po, mostrat biologjike të terroristëve të gjetura në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi në Banjskë janë dërguar në Finlandë. Tani, jemi në pritje të rezultateve dhe shpresojmë të kemi përgjigje brenda një afat optimal”, tha Pireva, njofton Klankosova.tv.
Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist në krye me kriminelin Milan Radoiçiq kryen agresion ndaj Kosovës ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në anën tjetër, njësitet speciale të Policisë së Kosovës patën arritur që ta neutralizonin sulmin, duke i vrarë tre terroristë dhe arrestuar gjashtë të tjerë.