Derbi i Tetovës shkon për Shkëndijen, Renova mundet 3-1

E publikuar: 14/09/2015 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Derbi shqiptar i Tetovës vishet Kuqezi. Në Cair të Shkupit Shkëndija e Shpëtim Duros vijoi ecurinë e fitoreve duke mposhtur për të dytin takim radhazi me rezultatin 3-1 Renovën.

Mjaftuan tre gola të realizuar nga Armend Alimi, Ferhan Hasani dhe Stenio Junior që kuqezinjtë të regjistronin suksesin e 4-t radhazi në kampionatin maqedonas. Falë kësaj fitoreje Shkëndija forcoi pozitat e saj në vendin e dytë të klasifikimit teksa pas 6 javëve të para numëron 15 pikë të grumbulluara, vetëm 1 pikë më pak se kryesuesit e Vardarit të Shkupit.

Në kryeqytet sfida nisi menjëherë me gol për formacionin e Duros. Në minutën e 5-të Armend Alimi kaloi Shkëndijën në avantazh. Gjërat u bënë më të thjeshta për kuqezinjtë në fund të pjesës së parë kur arbitri kryesor akordoi një 11-metërsh në favor të Shkëndijës. Nga pika e bardhë e penalltisë Ferhan Hasani nuk gaboi duke i cuar shifrat në 2-0.

Megjithatë me një tjetër 11-metërsh Izair Emini ngushtoi rezultatin në minutën e 54-të duke realizuar golin e vetëm të Renovës në këtë takim. Për të qetësuar trajnerin Shpëtim Duro në stol dhe për t’i dhënë një tjetër fitore në derbin shqiptar të Tetovës Shkëndijës mendoi braziliani Stenio Junior që në minutën e 72-të realizoi golin që fiksoi shifrat përfundimtare të kësaj sfide në 3-1.