Der Standard: Ndryshimet e kufijve u konvenojnë vetëm Ramës dhe Vuçiqit

E publikuar: 27/10/2017 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazeta austriake “Der Standard” në një analizë të gazetares Adelheid Woelfl, e cila është njohëse e mirë e Ballkanit shkruan se kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ai serb, Aleksander Vuçiq, po e inskenojnë veten si udhëheqës të shqiptarëve dhe serbëve.

Në analizën e saj me titullin “Loja me kufijtë në Ballkan”, gazetarja shkruan se krahas kryeministrit serb, Vuçiq, politikën e “fqinjësisë” e ka zbuluar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ai nuk u përzje vetëm në politikën e partive politike shqiptare në Maqedoni, por edhe i emëroi edhe katër shqiptarë nga Kosova si zëvendësministra. Dhe, ai paralajmëroi që do të lehtësojë qarkullimin në pikën kufitare me Kosovën”, shkruan Der Standard.

Krejt kjo sipas gazetës po ndodh në të njëjtën kohë kur po zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas gazetës mund të çojë te një njohje indirekte e Kosovës nga Serbia.

Sipas analizës së gazetares Woelfl, ridizajnimi i kufijve në vija etnike, jo e bazuar në integritet territorial i shërben vetëm dy personave.

“Kjo i shërben para së gjithash dy politikanëve: kryeministrit serb, Aleksander Vuçiq dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, të cilët tash e një kohë po e paraqesin veten si udhëheqës të të gjithë serbëve dhe shqiptarëve, me cakun për të arritur një “pajtim historik”, siç e quan Vuçiq”, shkruan gazetarja.

Sipas gazetës, shumica e përfaqësuesve të BE-së, janë duke lavdëruar këta dy, që kanë vizituar njëri-tjetrin. “Kjo është shumë e çuditshme, sepse marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë nuk kanë qenë asnjëherë ndonjë problem”, ka shtuar ajo.