Deputetja suedeze: Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në NATO

E publikuar: 15/11/2024 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng tha se Kosova ka çfarë të mësojë nga Suedia për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Bouveng, e cila është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje, deklaroi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në këtë proces.

“Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim te madh në Evropë. Si pasojë e kësaj lufte edhe Suedia i ndryshoi qëndrimet. E pamë se në këto kohëra sfiduese nuk mund të qëndrojmë të vetëm andaj vendosëm për ndryshime. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte i domosdoshëm, prandaj iu bashkuam aleancës së bashku me Finlandën. Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në strukturat e NATO-s. Suedia e mbështet seriozisht Kosovën për t’u bërë partnere në BE dhe në NATO, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Bouveng.

Disa rekomandime për Kosovën për rrugën drejt aleancës veri-atlantike i ka edhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund.

Suedia u bashkua me NATO-n më 7 mars të këtij viti, duke e zgjeruar aleancën në 32 shtete anëtare.

Rrjeti Alumni Suedez në Kosovë në bashkëpunim me ambasadën suedeze të premten organizoi konferencën “Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, mësimet e nxjerra nga Suedia”.