Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra ka akuzuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se po bën “hajgare në sallën bosh” me propagandë dhe, siç tha ajo, edhe me diktaturë.
Ajo e quajti Kurtin mashtrues, pas diskutimit të tij që ngjalli edhe reagime në sallën plenare.
Deputetja Deliu Kodra i ka reaguar edhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, derisa ky i kërkoi të dijë nëse po replikon apo po mban fjalim lidhur me temën e sotme.
“Qysh kryeministër nuk të vjen marre me mashtru deri në këtë masë. Na folim për masa konkrete shtesë, ti vjen sot qysh ke bërë edhe dje dhe vjen e bën propagandë politike, e bën fusharë zgjedhore, i ke pesë deputetë në sallë, e ke një ministre në kohën kur çmimi i naftës ka mbërri në dy euro. Veç po dua të ia rikujtojë kryeministrit që tha nuk mund të bëjmë zgjidhje të shpejta, sepse është shumë më e vështirë, edhe mos ma ndërprejë fjalën asnjëherë zotëri Gola. Sepse e dëgjuam kryeministrin dhe kush nuk ia ndërpreu fjalën as dje e as sot. Mos e shndërro këtë vend në diktaturë, sepse është e turpshme çfarë po doni të bëni”, tha ajo.
Koda -Deliu ia ka kujtuar edhe një fjalim Kurtit të vitit 2018, ku siç tha ajo, kishte thënë se “që prej shpalljes së pavarësisë nafta kurrë nuk ka qenë më shtrenjtë”.
“Qiky kryeministër që ka ardh dhe na ka thënë në vitin 2018 ‘që prej shpalljes së pavarësisë nafta kurrë nuk ka më qenë më e shtrenjtë’, 1 litër naftë ka thënë që ka kushtuar 1 e 22 cent, sot çmimi i naftës ka mbërrirë në dy euro. Asokohe thoshte që po shtohen xhipat qeveritarë që e kanë naftën e lirë, ashtu siç duhet të kenë traktorë të bujqve. Ti kryeministër je mashtrues i madh, nuk e ke ti hallin sot as të bujkut, as të fermerit, ti e ki hallin e asaj që po dëshiron ta dërgosh këtë vend në zgjedhje për shkak të paaftësisë tënde për të qeverisur e vjen e bën hajgare në sallën bosh me propagandën dhe diktaturën që s’po dëshiron me ndal asnjëherë”, shtoi ajo.



















