“Në fshatrat e Korçës varfëria dhe papunësia është ulur këmbëkryq, ndërsa shërbimet dhe mbështetja sociale janë inekzistente”.
Ky ka qenë konstatimi i deputetes së PD-së, Eleina Qirici. Ligjvënësja e djathtë ka vizituar sot familjen Merko me tri fëmijë ku djali i vogël 5 vjeç, është autik. Sipas deputetes, djali i vogël nuk merr asnjë lekë nga ndihma sociale, apo kemp, ndërkohë që dy prindërit nuk gjejnë asnjë mundësi punësimi. Sakaq, Qirici pohoi se tek kjo familje por edhe dhjetra të tjera mungojnë pajisjet për standardet më minimale të jetesës, si dhe energjia elektrike. Deputetja e Eleina Qirici bëri thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë tek këto familjet që nuk përballojnë as ushqimin, ku buka me ujë dhe sheqer është vakti i zakonshëm. Nuk kanë as llampë për ndriçim pasi nuk mund të paguajnë energjinë.
.
“Këtu, mjerimi, tha deputetja Qirici, kapërcen çdo limit të imagjinatës. Fëmijët nuk ushqehen sa dhe si duhet për një standard minimal jetese, nuk kanë dritë të shohin njëri-tjetrin, aparati i televizorit është luks, pra as në mesjetë nuk ka patur një varfëri të tillë. Fëmija autik nuk ka mundësi të arrijë në qendrën e kujdesit social, dhe nga institucionet lokale e qendrore nuk ka reagimin më të vogël human”.
Familjarët i thanë deputetes Qirici se jeta e tyre është kthyer në një ankth të për-orshëm dhe se fëmijët nuk marrin dot as paracetamol kur sëmuren. Dy vajzat nuk mund të mësojnë me libra e fletore edhe pse kanë aftësi shumë të mira për studim. “Arroganca e ndihmës sociale dhe lokale në Korçë është e vetmja normë qeverisjeje, ndërkohë që qeveria flet për realitete virtuale, për reformë të ndihmës ekonomike. Zëvendëskryeministri Peleshi dhe kryebashkiaku Filo bëjnë propagandë me projekte dixhitale në Korçë për parqe lodrash, ndërkohë që realiteti dramatik është ky si tek familja Merko, e cila nuk e ka vëmendjen e Peleshit, të Filos apo institucioneve të tjera.”, citohet në njoftimin e PD-së.