Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi e ka komentuar seancën e sotme në parlamentin serb.
Ai është shprehur se ka pasur mungesë elementare të sensit për realitetin në Kosovë.
“Rrëmujë. Albanofobi. Mungesë elementare e sensit për realitetin në Kosovë. Kështu do të kisha cilësuar seancën e sotme në parlamentin e Serbisë. Retorika e viteve të 90-ta në skenë”, ka shkruar Kamberi.
Në seancën e Kuvendit të Serbisë ku po diskutohej për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman, në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka tejkaluar në përplasje verbale dhe fizike.
Opozita e ka pritur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me parulla si “E ke dorëzuar Kosovën”, “jo ultimatum, jo kapitullim”, derisa ai po fliste për Kosovën.
Në këto parulla ishte edhe një fotografi e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, me mbishkrimin “Do të përgjigjesh”, si dhe “Vuçiq e tradhtove Kosovën”.
Në nisje të debatit, Vuçiq ka thënë se qëllimi “i ditës së sotme nuk është që përgjegjësia të bartet në këtë institucion apo te populli”.