Deputeti i LDK’së: Opozita mund ta largojë Mustafën vetëm me protesta

E publikuar: 24/12/2015 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i ka nxjerrë si jo tërësisht të përputhshme disa nga parimet e Marrëveshjes për Asociacionin.
Gashi, duke komentuar kërkesën e opozitës për dorëheqje të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se duhet reflektim nga të gjitha palët e përfshira, njofton Klan Kosova.

“Ka hapësirë për reflektim edhe nga kryeministri edhe nga zëvendëskryeministri, por edhe nga opozita”.

Sa i përket dorëheqjes ai ka thënë se akti si i tillë është vullnetar dhe nuk mund të shkaktohet ndryshe. Por sipas tij opozita mundet që me anë të protestave, nëse mbledhë mjaftueshëm njerëz të ndërrojë perceptimin.

“Dorëheqja është akt vullnetar sepse këtu janë ngatërruar disa koncepte”.

“Opozita e di që nuk ka mundësi për ta shkarkuar zotin Mustafa, por ka tjetër mundësi: rrugën. Nëse arrin që të mbledhë masa të mëdha, atëherë krijon një perceptim”.

“Nuk do të ketë pakësim të të drejtave dhe lirive për serbët e Kosovës. Si mekanizëm i kontrollit të ndikimit të Serbisë do të ketë – do të zvogëlohet ndikimi i Serbisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të vendit”.

Sipas tij, vendimi i Kushtetueses nuk cënon të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë, por zvogëlon ndikim e shtetit serb brenda Kosovës.

“S’ka vullnet nga askush në Kosovë që të cënohen interesat dhe të drejtat e serbëve në Kosoëv”.

Sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit si president i vendit vitin tjetër Gashi ka ripërsëritur se mund të krijohen situata kur vet Thaçi të mos dojë të kandidojë.

“Mund të ketë situatë ku zoti Thaçi mund të mos dojë që të kandidohet për president – vullnetarish”.

I pyetur nëse do të votonte për Thaçin si president, Gashi ka thënë “jo”. /klankosova.tv/