Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka paraqitur disa prej kritereve që duhet t’i ketë presidenti i ri i vendit. Ani pse në Kuvend është duke raportuar kryeministri Hoti për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion brenda Policisë së Kosovës, deputeti i AAK-së kërkoi që presidenti i ri vendit të jetë një njeri me kredibilitet kombëtar.
Ai në foltoren e Kuvendit, tha se postin e të parit të shtetit, secili po ka qejf të marrë, por aty duhet të jetë dikush që kur ndërron koha i dhembë trupi prej plagëve të luftës.
“Vendit tonë i vynë një njeri me kredibilitet kombëtar, e kuptoj merakun e qejfin e secilit për me marrë një pozitë. Por a dini se një president duhet të i del zot vendit edhe me jetën e vet. Ose në rast të dështimit kujdo që me ia lënë fajin… Kosovës time i duhet me dalë në ballë dikush që kur ndërron koha i dhembë trupi prej plagëve. Kosovës i duhet një president që dikush kur kalon nga varrezat civile mendon për anëtarët e vet të familjes që për këtë liri i ka në varrë. Dikush që këqyrë në dritë të syrit dhe thotë po, ose jo. Dikush që e pranon mendimin ndryshe të secilit intelektual që është i drejtë dhe i nënshtrohet drejtësisë sa herë ka nevojë dhe flamurin e shtetit e mbanë naltë. Dikush që edhe armiku i djeshëm nuk i frikësohet me ia kthyer shpinën”, tha ai.
Ai gjatë fjalës së tij foli edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, ku tha se kryeministri Hoti pati guxim të shkoi atje, për dallim nga ish kryeministri Kurti.
“E murrë guximin ky Avdullah Hoti me syza e shkoi qatje”, tha ai.
Derisa edhe i dha përkrahje atij për shuarjen e Task-forcës antikorrupsion në Policinë e Kosovës.
“Kryeministër sa i përket shkarkimit të Task-forcës të lumtë. Mirë ia ke bo. Ka qenë vendim me vend”, tha ai./E.Zeqiri/


















