Takimi i 14 shtatorit i mbajtur në Bruksel s’ka prodhuar progres sa i përket procesit të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. SHBA dhe Gjermania kanë reaguar duke thënë se janë të dëshpëruara që s’ka pasur lëvizje përpara nga Kosova dhe Serbia, shkruan Gazeta Express.
Ka folur edhe deputeti i Bundestagut, Thomas Hacker, i cili ka thënë se dështimi i këtij takimi është një mësim i hidhur për Bashkimin Evropian dhe potencon se mungesa e vullnetit politik nga Kosova dhe Serbia ka shkaktuar dëme të mëdha në besueshmërinë e BE-së si zgjidhëse e konflikteve.
“Dështimi i takimit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër është një mësim i hidhur për BE-në si zgjidhëse e ndershme e konflikteve. Mungesa e vullnetit politik nga të dyja palët për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ka shkaktuar dëme të mëdha në kredibilitetin ndërkombëtar të BE-së si zgjidhës i konflikteve në fqinjësinë e saj”, ka thënë Hacker, shkruan Gazeta Express.
Hacker ka thënë se koha deri kur do të mblidhet Komuniteti Politik Evropian në Granda më 5 tetor, duhet të shfrytëzohet për t’i bërë Kosovën dhe Serbinë që të dorëzohen.
“Tani koha deri në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Granada duhet të përdoret për t’i bërë të dy shtetet të dorëzohen.”, ka potencuar Hacker.
Komuniteti Politik Evropian është propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron më 9 maj të vitit 2022. Ky Komitet për herë të parë ishte mbledhur më 6 tetor të vitit 2022. Takimi i radhës do të mbahet në Granada të Spanjës më 5 tetor 2023./GazetaExpress