Deputeti britanik Alex Sobel, ka ndarë një fjalim të fuqishëm në favor të Kosovës gjatë një seance në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.
Duke shkruar se Kosova është një shtet i ri për të cilin Mbretëria e Bashkuar ka pasur një rol të madh për ndalimin e gjenocidit atje para 20 vitesh, ai ka kujtuar se tani situata është duke u tensionuar sërish për shkak të ndikimit rus prapa tensioneve në rajon.
Në videon e shpërndarë, ai dëgjohet duke treguar për një vizitë që ka zhvilluar në Kosovë gjatë vitit të kaluar bashkë me disa deputetë të tjerë dhe për takimet e realizuara me kryeministrin e Kosovës, me presidencën dhe KFOR-in, duke shtuar se ka mësuar se situata e sigurisë është përkeqësuar që atëherë dhe prandaj kjo situatë duhet të flitet.
“Dua të ndaj shqetësimet e Kosovës se Serbia do të shkaktojë dhunë në Kosovë, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin në vend e rajon.”
Instant / Shpërthen papritur një bombë e Luftës së Dytë Botërore në Angli
Ai më tej ka shtuar, se “Serbia tashmë e ka bërë një gjë të tillë në Bosnje dhe Hercogevinë, përmes “Republikës Srbska” dhe në Mal të Zi dhe po tenton të njejtën gjë në Kosovë.”
Më tej Sobel, ka thënë se “serbët në Kosovë trajtohen me respekt dhe se duhet të sigurohen marrëdhëniet midis dy etnive në Kosovë, për një Kosovë stabile.”
Sobel ka shtuar se serbët me qëllim duan të destabilizojnë Kosovën, duke penguar edhe progresin e dialogut.
“Megjithatë, serbët me qëllim tentojnë të destabilizojnë Kosovën, duke penguar progresin e dialogut, në veçanti propozimin franko-gjerman të mbështetur nga Bashkimi Evropian.”
Deputeti në fjalën e tij ka kujtuar edhe se zyrtarë të regjimit të sotëm në Serbi, kanë shërbyer për Millosheviqin, ndërsa ka shtuar se sipas tij Kosova është e gatshme për kompromis.
Sobel po ashtu ka thënë se prapa Serbisë qëndron Rusia, e cila pasi e ka armatosur për shumë vite ka treguar haptas gatishmërinë për t’a mbështetur në rast të ndonjë konflikti.