Kërkesa e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e 22 dhjetorit, për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftë në Kosovë, do të mbetet edhe më tej dhe ajo do të votohet nëse arrin para deputetëve, thonë deputetë të partive në pushtet dhe atyre opozitare.
Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, subjekt ky brenda koalicionit qeverisës në vend, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është bërë për ndryshimin e karakterit etnik të gjykatës dhe të mos gjykohen vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por të gjithë ata që kanë bërë krime të supozuara, përfshirë edhe individët e mundshëm nga bashkësitë tjera etnike në Kosovë.
“Ne e kundërshtojmë. E kam kundërshtuar dhe do ta kundërshtoj një gjykatë të tillë sepse nuk është një gjykatë që e dënon krimin, por që kërkon të dënojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin që e ka bërë. Kërkesa ime personale dhe e 43 të nënshkruarve, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë drejtuar Kuvendit për shqyrtimin e plotësim ndryshimin e ligjit, nga një Gjykatë Speciale që është tash me Dhoma të Specializuara, të krijohet një gjykatë në Kosovë, e cila do të merret me trajtimin e rasteve të dyshuara për krime edhe të komuniteteve të tjera, sikurse krimet serbe në Kosovë”, thotë Hasani.
Në anën tjetër, në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se “nisma e deputetëve për Gjykatën Speciale nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por është alternativë, sikurse që kanë edhe vendet e tjera të ish-Jugosllavisë: Kroacia, Bosnja dhe Serbia
Në anën tjetër, partitë opozitare mbeten të ndara në qëndrime lidhur me propozimin e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se është kundër kësaj nisme, transmeton rel.
“Kosova dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë”, kishte shkruar ditë më parë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në rrjetin social Facebook.