Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me deklarimet e deputetëve rreth ngjarjeve të fundit në vend që lidhen me Gjykatën Speciale. Ata u deklaruan për arrestimet e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen javën e kaluar nga Gjykata Speciale pas ngritjes së aktakuzave.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci sot iu drejtua deputetëve nga foltorja e Kuvendit të Kosovës në emër të shefit të grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i cili ndodhet në Hagë.
Nagavci derisa ka ritheksuar se kjo Gjykata Speciale është një etnike, tha se Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë të pastër dhe të drejtë për liri dhe çlirim.
Nagavci ditën e 5 nëntorit kur ndodhi publikimi i aktakuzave dhe shkuarja e ish udhëheqësve të UÇK-së në Hagë, e ka quajtur ditë të rëndë për vendin.
Ndërsa, shtoi se Rexhep Selimi bashkë me shokët e tij do të dëshmojnë para Gjykatës Speciale për luftën e drejtë të UÇK-së.
Nagavci: Lufta e drejtë dhe drejtësia në luftë do dëshmohet bindshëm nga Selimi me shok
Video
“Ishte zotëri Rexhep Selimi që e bëri publike dhe afirmoi UÇK-në, ishte pjesë e saj që nga fillimi dhe nuk u nda asnjëherë nga Jasharajt e Prekazit dhe pas luftës nuk votoj asnjëherë të vetme në dëmë të luftës çlirimtare, të lirisë të popullit e të mirëqenies së qytetarëve….Ne si Lëvizjes edhe atëherë, edhe sot jemi të bindur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbetet përpjekje e drejtë për çlirim dhe lufta e saj ishte një luftë e pastër. Ushtria Çlirimtare ishte dhe do mbetet emblema e lirisë së vendit. Ushtarët tanë kishin qëllime fisnike dhe ishin të prira nga ideal të larta….Por sot shefi i grupit parlamentar në vend se të drejtohet nga ky Kuvend po paraqitet para Gjykatës Speciale e cila do i gjykoj atë dhe pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E rëndë ishte dita e 5 nëntorit për të gjithë, të rënda akuzat dhe pamjet që i pamë, por ne besojmë që lufta e drejtë për liri nuk mund të njolloset. Lufta e drejtë dhe drejtësia në luftë do dëshmohet bindshëm nga zotëri Selimi me shok. Drejtësia duhet të vihet në vend për secilin dhe për secilen për çdo rast. Do të dëshmohet lufta e drejtë e UÇK-së dhe do rivuloset fakti se Serbia ka kryer gjenocid dhe krime në Kosovë. Prandaj, padrejtësia e kësaj gjykate do jetë e përkohshme lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, ashtu si e gjithë përpjekja e popullit për çlirim dhe pavarësi do vendoset në kornizat e drejtësisë dhe ligjshmërisë, kurse e ardhmja do gjykoj këtë gjykatë speciale një etnike”, u shpreh Nagavci.
Megjithatë, fjalimet nga Lëvizja Vetëvendosje u kritikuan nga Palë Lekaj. Në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ai tha se duhet të përmendën të gjithë luftëtarët që po përballen me Gjykatën Speciale, e jo vetëm Rexhep Selimi.
Lekaj: Çfarë duhet të bënim ne, si të silleshim me operacionin “Patkoi”?
(Video)
“Për dallim nga kolegët e mi nga LVV, unë po i përmendi gjithë luftëtarët e lirisë që janë të pa drejtë të akuzuar në gjykatën e Hagës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe komandant Cali. Kanë kaluar 20 vjet që nga koha kur ne të gjithë, shihnim se si motrat dhe vëllezërit tonë, nënat dhe baballarët, fëmijët dhe pleqtë se si masakroheshin, vriteshin, zhdukeshin, dhunoheshin nga një ushtri dhe polici shtetërore. Nga forca paramilitare të nxjerra dhe të sjellura nga skuta më të errëta të Serbisë, të komanduara nga Beogradi, nga vet shteti i Serbisë. Me një emër po aq të dhunshëm operacioni patkoi. Kushdo që tani kthen kohën pas dhe të mundohet të gjykojë apo paragjykojë se çfarë ndodhi në atë kohë, kam vetëm një pyetje: Çfarë duhet të bënim ne, si duhet të silleshim, a duhet të prisnim që Serbia t’i shkonte deri në fund operacionit “Patkoi”, apo të mblidheshim, të ngrinim krye dhe të mbronim pragun e shtëpisë, të kësaj shtëpie që për ne të gjithë është Kosova”, tha ai.
Sipas Lekajt, shqiptarët vendosën të vdisnin me armë në dorë, se sa të prisnin vdekjet nga Beogradi. Dhe një gjë e tillë, siç tha ai, po bëhej vetëm se ishin me nacionalitet shqiptarë.
Lekaj: Në bankën e të akuzuarve po gjykohen vetëm shqiptarët
(Video)
“ Heronjtë, dëshmorët, ata që ia falën jetën Kosovës nuk do të kishin menduar kurrë që do të vinte një ditë, se nëse do të ishin gjallë, do të ishin dërguar në një Gjykatë Speciale. Ku gjykohet vetëm shqip, ku gjykohen vetëm shqiptarët, ku lufta e tyre është vënë në bankën e të akuzuarve. Të gjallët, ata të cilët janë vënë në bankën e të akuzuarit e dinë se nga vjen e gjithë kjo. E dinë që Beogradi nuk e ka pushuar kurrë luftën e Kosovës. Dikur me ushtri e polici, me tanke e topa, me paramilitarët, e me njerëz të neveritshëm të skutave, tani me letra dhe dosje, foto e gjithçka tjetër, që mundën për të fituar në paqe. Atë që e humbën një herë e përgjithmonë në luftë”, ka shtuar ai.
Ai e ka quajtur të ndyrë luftën që tashmë Serbia po e bën për Kosovën. Kjo sipas tij, është luftë e një strukture shtetërore, e që nuk ka kërkuar falje asnjëherë për gjenocidin në vend.
Deputeti nga Nisma-AKR, Veton Berisha tha se ndihet keq për ngjarjet e fundit në vend, dhe vlerëson se iniciativa e nisur në fillim për krijimin e Gjykatës Speciale, ka devijuar në tërësi.
Ai kërkoi që assesi të mos etiketohet lufta e UÇK-së, e cila ishte luftë e nevojshme dhe shumë e drejtë.
Berisha: Assesi të mos etiketohet lufta e UÇK-së, ishte luftë e nevojshme dhe shumë e drejtë
Video
“Kërkoj që vërtetë çështjet për të cilat diskutuam dhe arrestimet e fundit që janë bërë, ndjehem jashtëzakonisht jo mirë për faktin që e kemi përshtypjen që iniciativa e nisur në fillim për krijimin e Gjykatës Speciale mendojmë që ka devijuar në tërësi. Pa dashur të ndërhyjmë në sistemin e drejtësisë, kërkojmë që secili rast individualisht të trajtohet si i tillë dhe assesi të mos etiketohet lufta e UÇK-së e cila ishte luftë e nevojshme dhe shumë e drejtë për secilin qytetar të Kosovës”, tha Berisha.
Javën e kaluar pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shkuan në Hagë. E gjatë kësaj jave për herë të parë ata dolën para trupit gjykues të kësaj gjykate dhe u deklaruan të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës./B.Ibishi./G.Kadrijaj./Sh.Pajaziti


















