Deputetët morën mbi 178 mijë euro pa punuar asgjë

E publikuar: 06/09/2017 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pagën e tij prej rreth 1 mijë e 400 euro, deputeti Haxhi Avdyli e ka ndarë tashmë për bamirësi.

Kjo ka qenë paga e tij e parë si deputet, derisa brenda muajit ai dhe kolegët e tij nuk kanë arritur të konstituojnë ende Kuvendin e Kosovës, e qytetarët me peticion online kanë kërkuar që ata të mos paguhen.

Pagat për deputetët, ani pse pa bërë ndonjë punë efektive për këtë 1 muaj, taksapaguesve të Kosovës u kanë kushtuar 178 mijë e 560 euro.

Këtë për KTV-në e ka konfirmuar Sekretariati i Kuvendit të Kosovës.

Sipas sekretarit Ismet Krasniqi, deputetët do të paguhen vetëm me një mëditje, sepse seanca llogaritet si një dhe çdo herë ka qenë vazhdim i seancës së parë.

Gjatë krizës politike të 2014-s, asnjë deputet nuk kishte hequr dorë nga paga e tij, kurse për 3 muaj 107 deputetë ishin paguar gjithsej me më shumë se gjysmë milioni euro.