Deputetët kërkojnë hetim për 140 milionët e dhënë në emër të granteve bujqësore

E publikuar: 08/06/2019 09:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nevojën që prokuroria të hetojë se ku kanë përfunduar milionat e shtetit të dhënë në emër të mbështetjes së bujqve e kanë shprehur të premten deputetë të dy komisioneve parlamentare – Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike dhe të atij për bujqësinë. Ligjvënësit dyshojnë se ka pasur keqpërdorime në tre vjetët e fundit gjatë ndarjes në formë grantesh e subvencionesh të 140 milionë eurove, shkruan sot Koha Ditore.

Qëndrimet janë shprehur gjatë mbledhjes së përbashkët të të dy komisioneve, në të cilën të ftuar kanë qenë ministrja e re e Bujqësisë, Dijana Zhiviq, sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Kapllan Halimi, si dhe kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj.

Në mbledhje është shqyrtuar Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, i cili ka evidencuar shumë shkelje në menaxhimin e buxhetit të granteve.

Shkelje janë evidencuar edhe në grantet njëmilionëshe, për të cilat “Koha Ditore” ka raportuar në fillim të vitit se jashtëligjshëm u ishin dhënë njerëzve të lidhur me pushtetin.

“Zonja ministre, unë ju sugjeroj që urgjentisht të merreni seriozisht me çështjen dhe të bëni shkëputjen, prej kur ju e keni marrë detyrën, dhe të filloni procedurat për prokurori”, ka qenë kërkesa e nënkryetares së Komisionit për bujqësi, Besa Gaxherri, adresuar ministres Zhiviq. “Gjithkush duhet të japë përgjegjësi për punën e tij dhe nuk mund t’i ikë askush përgjegjësisë”. (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)